• e premte, 05 dhjetor 2025

Kurti: Do të bëjmë gjithçka që të konstituojmë Kuvendin e Kosovës deri në fund të muajit

Kurti: Do të bëjmë gjithçka që të konstituojmë Kuvendin e Kosovës deri në fund të muajit

Prishtinë, 2 korrik 2025 (MIA) - Ushtruesi i detyrës kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se do të bëjë çmos që Kuvendi i ri të konstituohet deri në fund të korrikut, në frymën e bashkëpunimit midis partive politike.

Pas një takimi dy-orësh me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Kurti theksoi se afatet ligjore po skadojnë dhe se konstituimi i përbërjes së re parlamentare duhet të bëhet në javën e fundit të korrikut.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur këtë në një frymë bashkëpunimi, me idenë e konsensusit ose kompromisit, dhe pastaj do të kalojmë në formimin e një qeverie të re”, tha Kurti.

Ai shtoi se në takim u diskutuan të gjitha aspektet e procesit të konstituimit të Parlamentit. Kurti theksoi se është e nevojshme të pritet përfundimi i takimeve të Presidentes me përfaqësuesit e partive të tjera për të vlerësuar nëse do të ketë përparim të mjaftueshëm.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor urdhëroi deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve. Të shtunën, me ftesë të Kurtit, u mbajt një takim me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, përveç Listës Serbe, por nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Presidentja Osmani ka planifikuar takime për sot me liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për të diskutuar një rrugëdalje nga situata aktuale, duke pasur parasysh se parlamenti i Kosovës nuk është konstituuar edhe pas 37 përpjekjeve. ls/

Foto: Arkiv 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR