• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kurti: Ballkani Perëndimor është i rrezikuar nga shteti serb

Kurti: Ballkani Perëndimor është i rrezikuar nga shteti serb

Prishtinë, 4 mars 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se Serbia po tenton ta pengojë përparimin e rajonit në eurointegrimet dhe kërkoi nga vendet perëndimore të reagojnë në këtë me dhënien e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Kurti në konferencën e sotme, të organizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës me temë “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, tha se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga shteti serb, duke shtuar se rruga drejt integrimit euroatlantik nuk bëhet vetëm.   

“Besoj që përparimi demokratik nuk duhet të merret i mirëqenë... Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë. Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”. tha Kurti.

Duke u angazhuar për dialog dhe gjithëpërfshirje mes popujve, kryeministri i Kosovës e ka quajtur superioritetin e një etnikumi ndaj të tjerëve "paragjykim të vjetër".

"Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve.  Diplomacia parlamentare është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Rruga drejt bashkëpunimit rajonal ka edhe pengesat e veta. Ka ende hatërmbetje historike të cilat shpesh herë rrezikojnë që të na ndajnë. Ideja që disa etni, raca dhe grupe janë superiore ndaj të tjerave është një paragjykim i vjetër", deklaroi Kurti. bsh/

Foto: Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR