• e shtunë, 23 nëntor 2024

KSHPK: Pasaporta diplomatike është e drejtë jo privilegj, automjete zyrtare nuk kemi kërkuar

KSHPK:  Pasaporta diplomatike është e drejtë jo privilegj,  automjete zyrtare nuk kemi kërkuar

Shkup, 20 korrik 2024 (MIA) - KSHPK në një postim në ueb faqen e tyre, i referohet nenit 11 të Ligjit për dokumentet e udhëtimit për të sqaruar se është "e drejtë, jo privilegj" që kryetarja e Komisionit, Tatjana Dimitrovska e ka marrë pasaportën diplomatike nga MPJ dhe gjashtë kolegë të saj kanë aplikuar për ta marrë atë.

Pasi Dimitrovska e bëri të ditur këtë ditëve të fundit në një intervistë televizive, pas së cilës pati reagime në opinion, KSHPK-ja sot në njoftim, duke përmendur nenin 11 të Ligjit, thekson: "Pasaporta diplomatike u jepet personave të zgjedhur dhe të emëruar, nëpunësve udhëheqës dhe punonjësve menaxherial në institucionet shtetërore; zyrtarëve diplomatiko-konsullorë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose të caktuar për punë në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit;

"Sipas ligjit, pasaporta diplomatike nuk është privilegj, por është vetëm e drejtë që shërben vetëm për kryerjen e detyrës zyrtare të anëtarëve të KSHPK-së dhe ajo e drejtë nuk do të përdoret kurrë për qëllime private. Këtë të drejtë nuk e jep vetë KSHPK-ja, por ligji i miratuar nga parlamenti dhe ministri i autorizuar me procedurë sipas ligjit. Në mënyrë që të mos ketë dyshime në opinion dhe për hir të transparencës përfundimtare, i bëjmë thirrje ministrit të ri të Punëve të Jashtme të rishqyrtojë vendimin për pasaportat diplomatike të KSHPK-së, si dhe deputetët vetë ligjin nëse mendojnë se ka  nevojë për të", thekson KSHPK ​​në reagimin e publikuar.

Në kumtesë theksojnë se përbërja e re e Antikorrupsionit përbëhet nga "profesionistë të lartë të përzgjedhur nga Kuvendi me konsensus nga të gjitha partitë politike" dhe se "Kuvendi është vendi i parë për kontrollin dhe vlerësimin e punës sonë, dhe publiku do të jetë gjithmonë i informuar në kohë për punën tonë".

"Në këtë drejtim dhe kundër populizmit, së shpejti do të prezantojmë para opinionit raportin për revizionin e brendshëm të kryer në institucion, gjatë të cilit do të kërkojmë nga të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore", shkruan në njoftimin e KSHPK-së.

Komisioni gjithashtu thekson se lajmi se kanë kërkuar automjete të reja për secilin anëtar të Komisionit është "dezinformatë e plotë" dhe "me përgjegjësi deklaron" se "asnjë kërkesë nuk është dërguar në asnjë institucion shtetëror për ndarjen e veturave zyrtare për anëtarët e KSHPK-së", përfshirë kryetaren Dimitrovska".

"Në kuadër të ribalancit të Buxhetit të RMV-së, KSHPK-ja nuk kërkon mjete financiare për blerjen e veturave. KSHPK-ja si institucion ka nevojë për automjete zyrtare dhe për to do të kërkohet një zgjidhje e duhur, por theksojmë se automjete të veçanta për anëtarët e KSHPK-së nuk janë kërkuar dhe as nuk do të kërkohen", thuhet në njoftim.

Në njoftimin e titulluar "Numri i rasteve të mbyllura me sukses do të jetë i vetmi "vertikal moral" sipas të cilit publiku do të mund të vlerësojë punën tonë”, KSHPK thekson se suksesin e punës së tyre do ta paraqesin vetëm me fakte, kundër populizmit të imponuar në publik”.

"Ne besojmë se të ngasësh biçikletën ose të shkosh në punë me autobus është populizëm i pastër, i cili nuk justifikon numrin e rasteve të pambyllura nga përbërja e mëparshme e KSHPK-së. Gjithashtu, ish kryetarja ishte e pranishme në publik me deklarata individuale paushall për të gjitha llojet e çështjeve pa kontrolluar më parë dokumentacionin dhe vlerësimin nëse ka arsye për hapjen e lëndëve. Kjo mënyrë e punës nuk duhet të jetë matës suksesi, ose ndoshta do të jetë, sepse fakt është se KSHPK-së së mëparshme gjatë gjithë mandatit i janë pranuar një numër jashtëzakonisht i vogël iniciativash për fillimin e procedurës së ndjekjes penale nga Prokuroria Publike" thekson KSHPK në reagim.

Sipas Komisionit, edhe pse sipas përbërjes paraprake të KSHPK-së kjo ka ardhur për shkak të punës joadekuate të Prokurorisë Publike "ndoshta arsyet duhet të kërkohen në mungesën e argumenteve të mjaftueshme, sipërfaqësimit dhe cilësisë së nismave".

Përbërja e re e KSHPK-së (Tatjana Dimitrovska - kryetare dhe Cveta Ristovska, Sofija Spasova Medarska, Besnik Xhemaili, Biljana Karakashova Shulev, Servet Demiri dhe Zoran Bogoevski - anëtarë), mandatin e filluan më 8 shkurt të vitit 2024. Prej atëherë, siç informojnë në kumtesën e publikuar, kanë mbyllur 21 lëndë nga fusha e ndeshjes së interesave, 61 lëndë nga fusha e parandalimit të korrupsionit dhe 107 lëndë nga ndjekja e gjendjes pronësore.

"Në seancën e caktuar për të mërkurën, 24 korrik, do të shqyrtohen rreth 150 propozim-vendime për lëndët e formuara nga përbërja e re e KSHPK-së. Plotësisht, kanë filluar dhe në mënyrë aktive veprohet saktë në 103 procedura për shkelje të parashikuara në Ligjin për parandalimin  e korrupsionit dhe ndeshjes së interesave", citohet në postimin e KSHPK-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR