Kryetari i Kuvendit hapi zyrën për komunikimin e deputetëve me qytetarët në Tetovë
- Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot në Tetovë mori pjesë në hapjen e zyrës në të cilën qytetarët mund të caktojnë takime me deputet të kësaj njësie zgjedhore. Zyra është vendosur në objektin e ish Radio Tetova.
- Post By Qefsere Abduli
- 17:59, 22 korrik, 2025
Tetovë, 22 korrik 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot në Tetovë mori pjesë në hapjen e zyrës në të cilën qytetarët mund të caktojnë takime me deputet të kësaj njësie zgjedhore. Zyra është vendosur në objektin e ish Radio Tetovës.
"Është hera e parë që qyteti i Tetovës të vizitohet nga një kryetar i Kuvendit. Për ne është shumë e rëndësishme të kemi këtë komunikim midis pushtetit lokal dhe atij qendror, në këtë rast, Kuvendit, duke marrë parasysh se ndajmë fusha të interesit të përbashkët, ndërsa kjo është paraqitja e qytetarëve në nivel lokal dhe qendror. Zyra e deputetit është një projekt i përbashkët midis Kuvendit dhe Komunës së Tetovës", tha kryetari i Komunës, Bilall Kasami.
Kryetari i Kuvendit theksoi se hapja e zyrave të tilla është pjesë e angazhimit për të pasur sa më shumë vende për komunikim me qytetarët.
"Në vazhdën e takimeve që kemi nëpër komuna me iniciativë për hapjen e sa më shumë zyrave të deputetëve në komuna për të lehtësuar kontaktin midis qytetarëve dhe deputetëve, sot jemi në Tetovë për të hapur edhe një zyrë tjetër, me të cilën arrijmë në numrin prej 51 komunash. Brenda një viti është arritur kjo shifër. Po përpiqemi në çdo komunë ku ka deputetë të hapim zyre, ku deputetët që vijnë në atë komunë do të mund që përmes asistentëve të tyre të caktojnë takime me qytetarët", tha Afrim Gashi.
Në kuadër të vizitës së sotme, përveç Komunës së Tetovës, Gashi vizitoi edhe disa institucione dhe ndërmarrje nga fusha e kulturës. qa/
Foto: MIA