Kryeministri Mickoski u takua me liderët e koalicionit "VLEN", takimi kaloi në atmosferë konstruktive
- – Në Qeveri sot pasdite u mbajt takim i kryeministrit Hristian Mickoski me liderët e koalicionit “VLEN” Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Zeqirja Ibrahimi.
- Post By Fitore Curri
- 22:03, 6 maj, 2025
Shkup, 6 maj 2025 (MIA) – Në Qeveri sot pasdite u mbajt takim i kryeministrit Hristian Mickoski me liderët e koalicionit “VLEN” Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Zeqirja Ibrahimi.
Takimi, sipas informacioneve të Qeverisë, kaloi në atmosferë konstruktive, frymë miqësore dhe partneriteti. Është biseduar për të gjitha çështjet e reformave, për luftën kundër krimit dhe ndryshimeve në sistemin të cilin e kanë lënë LSDM-ja dhe BDI-ja. Nga Qeveria informojnë se vazhdojnë bisedimet.
Takimin paraprakisht sot e paralajmëroi edhe lideri i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami i cili në një deklaratë për mediat tha se bashkë me Izet Mexhitin dhe Zeqirja Ibrahimin sonte do të kenë takim me kryeministrin.
“Si koalicion VLEN, ne do të këmbëngulim deri në fund që kushdo që bashkëpunon me BDI-në në këto rrethana, kur ajo parti është në listën e zezë dhe duhet të japë llogari për korrupsionin e funksionarëve të saj të lartë, nuk mund të jetë i pranueshëm. Sonte kemi një takim me kryeministrin ku besojmë se do t'i sqarojmë këto rrethana. E them përsëri se kjo nuk është e pranueshme, dhe këtë e tha edhe kryeministri, se nuk mund të bashkëpunosh me një parti opozitare, në këtë rast me BDI-në, dhe në të njëjtën kohë të qëndrosh në Qeveri. Ne duhet ta sqarojmë këtë situatë me kryeministrin, qëndrim të cilin e kemi ndarë deri më tani në lidhje me vazhdimin e qëndrimit në Qeveri”, tha Kasami.
Mbrëmë, kryeministri Mickoski realizoi takim edhe me liderin e njërit krah të Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari. Takimi përfundoi pa epilog, por nga Qeveria për mediat njoftuan se ka kaluar në frymë konstruktive. Vazhdojnë bisedimet dhe gjatë këtij muaji do të dihet e ardhmja për funksionimin e ASH-së. Kryeministri Mickoski në takim i konfirmoi qëndrimet e thëna më parë.
Kryeministri paraprakisht dje deklaroi se Taravari ka dy opsione që të jetë në Qeveri – për reforma dhe ndryshime ose të jetë me ata të cilët dy dekada e kriminalizuan shtetin. Taravari deklaroi se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur do të ketë, nuk do të pretendojë që më të jetë pjesë e Qeverisë. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s