• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kristershon: Me pranimin në NATO, Suedia erdhi në shtëpi

Kristershon: Me pranimin në NATO, Suedia erdhi në shtëpi

Bruksel, 11 mars 2024 (MIA) - Kur qëndrova në krye të NATO-s prisja forcimin e saj me pranimin e anëtarëve të reja si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por as që e mendoja anëtarësimin e Finlandës apo Suedisë, tha sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin suedez Ulf Kristershon para ceremonisë së ngritjes së flamurit të Suedisë para selisë së Paktit në Bruksel, si anëtarja e saj e 32-të më e re.

"Sot është ditë historike. Suedia e mori vendin e saj të merituar në tavolinën e NATO-s, nën mbrojtjen e Nenit 5, si garanci përfundimtare për lirinë dhe sigurinë tonë. Të gjithë për një dhe një për të gjithë", potencoi Stoltenberg.

Sipas tij, pranimi i Suedisë në NATO është mirë për të, për stabilitetin e Veriut dhe të Evropës dhe për sigurinë e gjithë Aleancës, me çka vendi prej partnere bëhet aleate me të gjitha përfitimet dhe përgjegjësitë të cilat i sjell anëtarësimi.

"Si përgjigje për luftën agresive kundër Ukrainës, NATO dukshëm e rriti praninë tonë përgjatë Aleancës, ndërsa anëtarësimi i Suedisë kontribuon për fuqizim të saj shtesë", shtoi Stoltenberg.

Kryeministri suedez Kristershon, nga ana e tij, theksoi se me anëtarësimin në NATO Suedia "erdhi në shtëpi" dhe do të qëndrojë fuqishëm me aleatët e tjerë në mbrojtje të demokracisë dhe lirisë.

Ai theksoi se me pranimin në NATO, Suedia jo vetëm që do ta fuqizojë sigurinë e saj, por do të kontribuojë edhe për rritje të saj, duke potencuar se vendi prej tani e përmbush kushtin për ndarjen e të paktën dy për qind të PBB-së së tij për nevojat e mbrojtjes.

Kristershon i falënderoi të gjitha anëtaret e NATO-s për mbështetjen në pranimin e Suedisë në Aleancë, duke potencuar se anëtarësimi në një aleancë ushtarake pas më shumë se 200 viteve neutralitet e bën vendin krenar.

Si dëshmi e mbështetjes së madhe në Suedi për anëtarësimin e saj në NATO, Kristershon threksoi faktin se në delegacionin për ngritjen sotme të flamurit suedez para selisë së Aleancës nuk janë të pranishëm vetëm ministra të qeverisë dhe përfaqësues të ushtrisë por edhe princi i kurorës, princesha Viktoria dhe liderët e të gjitha partive parlamentare.

"Uniteti dhe solidariteti do të jenë ylli udhërrëfyes i Suedisë si anëtare e NATO-s. Ne do të ndajmë shpenzimet, përgjegjësinë dhe rreziqet me aleatët tanë. Situata e sigurisë në rajonin tonë nuk ka qenë aq serioze që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Rusia do të përbëjë një kërcënim për sigurinë euroatlantike në një të ardhme të parashikueshme", theksoi Kristershon.

Duke folur për situatën në Ukrainë, Stoltenberg potencoi se kur presidenti rus Vladimir Putin e filloi pushtimin ndaj vendit, dëshironte NATO më të dobët dhe kontrollë më të madhe ndaj fqinjëve të saj, por në vend të kësaj Aleanca tani është më e madhe dhe më e fuqishme.

"Ukraina është më afër anëtarësimit në NATO se kurrë më parë dhe ndërsa ukrainasit trima vazhdojnë të luftojnë për lirinë e tyre, ne qëndrojmë në krah të tyre", deklaroi Stoltenberg, duke shtuar se nuk është më çështje nëse, por kur Ukraina do të bëhet anëtare e Aleancës.

Ai duke potencuar se dyert e NATO-s mbeten të hapura për pranim të partnerëve të saj të tanishëm, duke theksuar se nuk është Rusia ajo që do të vendosë se cili vend do të bëhet anëtare e Aleancës.

Stoltenberg theksoi edhe se NATO do të vazhdojë të ndajë miliarda dollarë ndihmë të re për Ukrainën, duke përfshirë municion, mbrojtje kundër ajrore dhe varka ushtarake, sepse ajo mbështetje shpëton jetë dhe prandaj duhet të vazhdojë.

"Presidenti Putin e filloi këtë luftë dhe ai mund ta përfundojë atë sot, por Ukraina nuk e ka atë mundësi. Dorëzimi nuk është paqe. Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë Ukrainën për t'i treguar presidentit Putin se ai nuk do të marrë atë që dëshiron në fushën e betejës, por duhet të ulet dhe të negociojë një zgjidhje ku Ukraina do të njihet dhe do të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur", përfundoi Stoltenberg. fc/

Fotografia: NATO

 

QËNDRONI TË LIDHUR