• e premte, 28 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kremlini e përshëndeti qëndrimin e balancuar të SHBA-së në votimin në KB

Kremlini  e përshëndeti qëndrimin e balancuar të SHBA-së në votimin në KB

 Moskë, 25 shkurt 2025 (MIA) - Kremlini e përshëndeti, siç theksoi, "pozitën e balancuar" të SHBA-së në lidhje me votën e Uashingtonit në KB, së bashku me Moskën, kundër rezolutës për Ukrainën të përgatitur nga Kievi dhe evropianët, me të cilën dënohet sulmi rus ndaj këtij vendi.

"Vërejmë se SHBA-ja po miraton një pozicion shumë më të balancuar që është realisht i përqendruar në përpjekjet që synojnë zgjidhjen e konfliktit ukrainas", tha zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov. 

"E përshëndesim atë. Ky pozicion i balancuar dëshmon për dëshirën e vërtetë për të kontribuar në zgjidhje", shtoi Peskovi. 

 Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se ai nuk sheh "asnjë shenjë ekuilibri" midis evropianëve që mbështetën rezolutën e Ukrainës me të cilën dënohet Moska, duke votuar kundër SHBA-së.

"Është e mundur që pas kontaktit midis evropianëve dhe amerikanëve në një mënyrë ose në një tjetër, Evropa të gravitojë drejt ekuilibrit më të madh", tha Peskovi. 

Në përvjetorin e tretë të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, dje KB-ja u prononcua për tri rezoluta për këtë vend në dy organet e saj - Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit,  në një votim që dëshmon për ndryshimin e qëndrimit amerikan për këtë çështje. 

 Asambleja e Përgjithshme miratoi dje dy rezoluta, një e hartuar nga Ukraina dhe vendet evropiane, të cilat SHBA-ja, së bashku me Rusinë dhe 16 vende të tjera, votuan kundër, dhe e dyta e propozuar nga SHBA-ja, por e hedhur në votim me amendamente të shumta për të përfshirë dënimin e Rusisë për konfliktin, në të cilën SHBA-ja abstenoi.

Më pas, SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të KB-së prej 15 anëtarëve e paraqiti tekstin e saj origjinal të një rezolute që bën thirrje për një paqe të shpejtë në Ukrainë pa iu referuar integritetit të saj territorial apo dënimit të Rusisë, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia votuan pro, ndërsa katër vende të BE-së dhe Britania e Madhe abstenuan. As Franca dhe as Britania e Madhe, dy nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit (së bashku me SHBA-në, Rusinë dhe Kinën), nuk vunë veto.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR