• e martë, 02 korrik 2024

Kovaçevski: VMRO-DPMNE-ja të mos kërkojë arsye, t'i përmbushë detyrimet për qeveri teknike

Kovaçevski: VMRO-DPMNE-ja të mos kërkojë arsye, t'i përmbushë detyrimet për qeveri teknike

Shkup, 17 dhjetor 2023 (MIA) - Ajo që është shumë e rëndësishme që ta vazhdojmë rrugën evropiane është përfundimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese. Ato janë pjesë e Kornizës Negociuese me BE-në, ai është parakushti i vetëm që shteti të vazhdojë përpara. Çdo shtyrje është humbje për shtetin, nënkupton pasiguri të bisedimeve dhe të anëtarësimit tonë të plotfuqishëm. Dhe për këtë kjo është çështja më e rëndësishme në këtë moment për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmen e shtetit tonë. Sepse drejtpërdrejtë ka të bëjë me perspektivat e qytetarëve, porosit kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski. 

Kryeministri Kovaçevski në intervistë për gazetën javore Fokus thekson përfitimet e deritanishme për qytetarët nga politikat integruese të kësaj Qeverie, përkundër politikave të izoluara të së kaluarës. 

"U pa në regjimin 10-vjeçar, çka do të thotë të jemi shtet i izoluar, kur, gjithçka, jo vetëm që qëndronte në një vend, por ecte mbrapa. Ndërsa, e shihni sot, çfarë rritje historike të pagës minimale ka, të pagës mesatare, të pensioneve, të investimeve të huaja direkte, të investimeve kapitale. E gjithë kjo ka të bëjë me arritjet gjatë pesë viteve e gjysmë të kaluara dhe integrimeve, së pari me anëtarësimin në NATO, ndërsa nga viti i kaluar edhe me bisedimet e filluara për BE", vlerësoi kryeministri.

Kryetari i Qeverisë e potencoi mospërsëritjen e mundësisë të cilën e ka vendi që përfundimisht ta realizojë qëllimin strategjik evropian dhe mbështetjen dhe pritjet e tilla nga partnerët strategjikë.

"Gjendemi në një kontekst unik për përparim në integrimin evropian dhe përfundimisht për të arritur qëllimin tonë të dytë strategjik, në kushtet kur Bashkimi ka nevojë për ne, dhe jo vetëm ai për ne, për shkak të nevojës për të siguruar stabilitetin e kontinentit evropian. Ne u treguam faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon me kryesimin e suksesshëm të OSBE-së dhe anëtarësimin dhe kontributin në NATO. Prandaj tani partnerët nga SHBA-ja dhe BE-ja presin që ne të bëjmë lëvizje të mençur në këtë kontekst të rëndësishëm global", thotë Kovaçevski.

Ai përkujton se kanë arritur edhe porosi të drejtpërdrejta se me frenues të zhvillimit demokratik, evropian të Maqedonisë së Veriut, nuk do të bashkëpunohet. 

"Prandaj do të ketë ndryshime kushtetuese, sepse është në interes të qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne luajmë gjithmonë me letra të hapura dhe me ne qytetarët e dinë se çfarë duan. Burimi i dramave që kemi parë në periudhën e kaluar është në radhët e opozitës, e cila në çorientimin e saj nuk di se ku po shkon, u grind me të gjithë në shtëpi, me gjithë botën demokratike. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë përpara. Por me kuazinacionalizmin e dëmshëm, kjo parti do të jetë e izoluar, në afat të gjatë, derisa të mbledhin forca nga brenda, për të reformuar veten", konstaton kryeministri Kovaçevski.

Sipas tij, partia e cila flet tre vjet vetëm për zgjedhje nuk duhet të kërkojë arsye dhe alibi për humbje, por duhet t'i përmbushë detyrimet në bazë të Ligjit. 

"Çështjen nëse VMRO-DPMNE do të marrë pjesë në qeveri teknike e shoh nga dy-tre aspekte. E para, bëhet fjalë për zgjidhje ligjore të cilën duhet ta repektojnë të gjitha partitë. E dyta, partia e cila flet vetëm për zgjedhje tani nuk duhet të kërkojë arsye, të mos kërkojë alibi të çfarëdo lloji. E treta, është e papërgjegjshme të hidhet njollë në gjithë procesin e zgjedhjeve, gjegjësisht, nuk duhet të kërkojnë arsye për humbjen. Ata dukshëm nuk e kanë të qartë se nuk mund ta realizojnë atë që e flasin nëpër televizione", thotë Kovaçevski.

Por, shtoi ai, atë që e dinë edhe ata, ndërsa edhe i gjithë publiku, është se qeveri teknike për ata nuk është situatë e favorshme, sepse, siç thotë, kuadrot e tyre në qeveritë teknike janë dëshmuar si jashtëzakonisht të këqia dhe joefikase. 

Në zgjedhjet parlamentare, siç thekson, fitues do të jetë koalicioni proevropian, ndërsa ai do të jetë mandatari i asaj qeverie dhe me atë Qeveri proevropiane, në mandatin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut do të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. 

Në intervistë Kovaçevski flet edhe për frontin evropian i cili si nismë ishte ngritur qysh në vitin e kaluar dhe qëllimi i të cilit është bashkimi rreth rrugës evropiane të vendit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR