• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Romët kanë potencial të udhëheqin çështjen e integrimit të tyre dhe të jenë shembull për rajonin

Kovaçevski: Romët kanë potencial të udhëheqin çështjen e integrimit të tyre dhe të jenë shembull për rajonin

Shkup, 7 prill 2023 (MIA)- Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me rastin e shënimit të 8 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve sot në ngjarjen në Qeveri mbajti fjalim me temë: “Perspektivat evropiane dhe zhvillimi cilësor i komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut”.

“Më vjen mirë që sot në këtë ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve jemi mbledhur palë të ndryshme nga shoqëria jonë, por të gjithë ndajmë të njëjtat vlera, siç janë vlerat e barazisë, respekti për pakicat nacionale investimi i përbashkët në realizimin e të drejtave, të cilat janë shumë të rëndësishme jo vetëm për romët, por për të gjitha pakicat nacionale në Maqedoninë e Veriut”, ka nisur fjalimin e tij kryeministri.

Sipas tij, është mirë ta kujtojmë përvjetorin e Kongresit të Parë Botëror të Romëve në Londër nga viti 1971. Në atë kohë, shton ai, u morën vendime të rëndësishme për pozitën e pakicës nacionale rome në tërë Evropën, vendime të rëndësishme për identitetin dhe vetëdijen e tij, për gjuhën dhe kulturën e romëve. Avancimi i pozitës së komunitetit rom në vendin tonë është në fokus të kësaj Qeverie, tha Kovaçevski.

“Angazhimi im personal si person mbi të gjitha dhe si kryeministër është ndërtimi i një shoqërie të barabartë dhe gjithpërfshirëse, themelet e së cilës janë besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Një shoqëri në të cilën qytetarët dhe komunitetet ndihen të sigurt dhe kanë mundësi të barabarta për zhvillim personal dhe profesional. Për këtë arsye unë angazhohem në partneritet dhe bashkëpunim të sinqertë me të gjithë aktorët shoqërorë, shtetërore, joqeveritare, organizatat qytetare, shoqatat për të përmirësuar pozitën e komunitetit rom në vendin tonë”, theksoi ai.

Si rezultat i procesit të Berlinit, në korrik të vitit 2019, në Samitin e Poznanit, vendi ynë, shton kryeministri, së bashku me vendet e rajonit u angazhuan për të përmirësuar situatën e romëve dhe për të arritur rezultate konkrete në fushën e arsimit, punësimit, shëndetësisë, strehimit, dokumentacioni civil dhe lufta kundër diskriminimit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Republika e Maqedonisë së Veriut miratoi Strategjinë Nacionale për Romët 2022-2030 në përputhje me Kornizën Strategjike Evropiane dhe është pjesë e politikave publike të shtetit dhe bazë për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në të gjitha fushat e përmendura.

Komisioni Evropian, në lidhje me Strategjinë për Përfshirjen e Romëve, vuri në dukje angazhimin e fortë të vendit tonë si dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me përfshirjen e romëve dhe rëndësinë e zbatimit të angazhimeve nga Poznani.

“Veçanërisht më vjen mirë që bashkëqytetarët tanë romë kanë potencialin të udhëheqin çështjen e integrimit të tyre dhe të jenë shembull për të tjerët në rajon. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka ndarë fonde për projekte specifike për të mbështetur zbatimin e Strategjisë për Romët për vitin 2023. Angazhimi i Qeverisë që unë udhëheq është të avancojë këtë trend, duke krijuar mundësi për zbatimin konsekuent të Strategjisë së Përfshirjes së Romëve dhe Planeve Nacionale të Veprimit. Për integrimin më të mirë të romëve në vendin tonë, do të veçoj si kyç mbajtjen e më të rinjve në sistemin arsimor, për të cilin do të angazhohem personalisht”, ka thënë Kovaçevski.

Nëse kemi sukses në këtë, shtoi ai, atëherë do të zgjidhim problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti rom. Ne duhet të ruajmë pozicionin tonë në rajon, ku shquhemi si një vend shembull pozitiv për numrin e studentëve romë që janë aktivë në vend dhe në botë.

“Prandaj, si Qeveri, angazhohemi edhe për rritjen e numrit të romëve që hyjnë në tregun e punës. Këtë e arritëm përmes Programit operativ për masa aktive nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në nxitjen e sipërmarrësisë tek komuniteti rom”, ka thënë Kovaçevski.

“Efekt të madh patën edhe masat e Qeverisë për mbështetjen e sipërmarrësve, të cilat u dhanë mundësi subjekteve të administruara nga romët t'i përdorin këto masa për formalizimin apo promovimin e biznesit. Këtë vit filloi të funksionojë fondi i investimeve REDI, për të cilin Qeveria nënshkroi një memorandum të veçantë për përputhjen dhe sinergjinë e aktiviteteve me sektorin civil, në lidhje me zhvillimin e sipërmarrjes tek komuniteti rom”, ka shtuar kryeministri.

Në këtë drejtim është edhe hapja dhe bashkëpunimi ynë me programin Romakted nga Këshilli i Evropës, i cili mundëson zbatimin e Strategjisë së Romëve në nivel lokal në 15 komuna. Nëpërmjet projekteve IPA, bashkëpunimit me USAID-in, qeverinë e SHBA-ve, komunitetet lokale dhe sektorin civil rom, përmes bashkëpunimit me BE-në ne realizojmë projekte të shumta.

Ambasadori i BE-së në vend Dejvid Gir në fjalimin e tij theksoi se mbeten sfida të mëdha, jo vetëm në këtë vend, por edhe në vendet e tjera.

"Ne shohim ende romë që lypin, që nuk janë të përfshirë në procesin arsimor, që nuk kanë dokumente identifikimi dhe që lidhin martesa të hershme. Këto janë disa nga problemet më të rëndësishme të theksuara në raportin e KE-së, por ato probleme nuk janë karakteristike vetëm për Maqedoninë e Veriut. Duhet angazhim për të adresuar të gjitha këto çështje. Të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE duhet të respektojnë parimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, veçanërisht për romët", ka thënë Gir, duke shtuar se BE-ja mbështet në mënyrë aktive zhvillimin dhe integrimin e komunitetit rom përmes financimit të projekteve të shumta.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska tha se përkushtimi ynë është të ndërtojmë një shoqëri për të gjithë, gjegjësisht të ndërtojmë një sistem në të cilin të gjithë qytetarët do të gëzojnë të drejta të barabarta, do të kenë qasje të barabartë në resurse dhe shanse të barabarta për përparim.

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve - 8 Prilli, përveç përfaqësuesve të Qeverisë, morën pjesë edhe deputetë, ambasadorë, përfaqësues nga Këshilli i Evropës, ROMAKTED, kryetarë komunash dhe organizata të tjera civile.

Foto: Qeveri

 

QËNDRONI TË LIDHUR