• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Qeveria teknike është obligim ligjor për të gjitha partitë

Kovaçevski: Qeveria teknike është obligim ligjor për të gjitha partitë

Shkup, 10 dhjetor 2023 (MIA) - Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski deklaroi se në mbledhjen e sontme të Këshillit ekzekutiv të partisë do të konstatohet vendimi që koordinatori i grupit parlamentar Jovan Mitreski të jetë kryetar i Kuvendit, pasi Talat Xhaferi u propozua nga BDI për kryeministër teknik.

"Do të diskutohet për kryetarin e Kuvendit, duke pasur parasysh se kryetari aktual i Kuvendit është propozuar për kryetar të Qeverisë teknike dhe natyrisht Sekretari organizativ dhe i përgjithshëm do të paraqesin raport për të gjitha aktivitetet operative që janë kryer javën e fundit, pas Këshillit të fundit ekzekutiv që kemi pasur", deklaroi sonte Kovaçevski para mbledhjes.

Lidhur me paralajmërimet e opozitares VMRO-DPMNE se do ta shqyrtojë nëse do të marrë pjesë në qeverinë teknike, Kovaçevski thotë se ky është obligim ligjor.

"Kjo theksohet në Ligjin për qeverinë, ligjin për zgjedhjet dhe besoj se të gjitha partitë politike duhet ta respektojnë obligimin e tyre ligjor, ashtu siç është obligim i im ligjor që njëqind ditë para zgjedhjeve të jap dorëheqje që edhe do ta bëj. Poashtu është edhe obligim i të gjitha partive politike që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, përndryshe i vihet një njollë procesit zgjedhor, pa pasur nevojë", tha Kovaçevski.

Në lidhje me atë se a do ta përkrahin një kandidat presidencial të BDI-së, nga ku dje thanë se ky është qëllimi i tyre i radhës, ai tha se kandidati për president do të jetë nga radhët e LSDM-së, siç ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.

"Të gjitha partitë politike kanë ambiciet e veta, por kandidati për president do të jetë nga radhët e LSDM-së, siç ishte në zgjedhjet e kaluara dhe do të ketë mbështetjen më të gjerë nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, individë etj. dhe ai do të jetë presidenti i shtetit edhe në mandatin e ardhshëm", ka thënë Kovaçevski.

Foto: printskrin

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR