• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Kovaçevski për vendosjen e Angjushevit në "listën e zezë" të SHBA-së: Ato janë akuza serioze, mbetet që institucionet tona të veprojnë

Kovaçevski për vendosjen e Angjushevit në

Shkup, 7 dhjetor 2023 (MIA) - Akuza serioze janë ato në lidhje me kumtesën të cilën pata mundësi ta lexoj nga Departamenti i Shtetit, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen në lidhje me akuzat për korrupsion dhe vendosjen në "listën e zezë" të SHBA-së të ish zëvendëskryeministrit dhe biznesmenit Koço Angjushev. Sipas kryeministrit, institucionet tona duhet ta kontrollojnë atë që është theksuar nga autoritetet amerikane.

Kovaçevski tha se Angjushevi asnjëherë nuk ishte anëtar i LSDM-së, e as është ndjerë anëtar i LSDM-së.

"Unë sa e di ai ishte propozim i Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe kryetarit të saj. Duhet të jetë e qartë se institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë, ku numër një janë SHBA-ja, në lidhje me akuzat e saja i sjell këto vendime, megjithatë nga ana tjetër edhe institucionet tona kanë detyrim të reagojnë dhe të hetojnë për çdo rast pa kurrfarë ndikimi në lidhje me të gjitha procedurat e udhëhequra në lidhje me ligjshmërinë e tyre për punën e çdonjërit funksionar", deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri, i cili ishte për vizitë në Fakultetin e Farmacisë, thotë se mbetet që institucionet tona në lidhje me të gjitha rastet e tilla të veprojnë dhe të tregojnë gjetjet në lidhje me akuzat e përmendura aty.

Qeveria, siç përkujtoi Kovaçevski, tashmë ka marrë vendim në lidhje me ndryshimin e zgjidhjeve ligjore në shtet. 

"E para u referohet personave të sanksionuar sipas vendimeve të Kombeve të Bashkuara dhe BE-së. Legjislacioni do të ndryshohet dhe do të jetë në përputhje me ligjet e SHBA-së në lidhje me kryerjen e funksioneve sociale nga ana e tyre në të ardhmen dhe së dyti, tashmë është formuar një grup punues i cili udhëhiqet nga zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, në të cilët marrin pjesë ministra nga departamentet ekonomike, drejtorët e shërbimeve të sigurisë, si rol këshillues dhe ministra të fushave kritike, si ministrat e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, për ndryshimin e rregullores ligjore për funksionimin e personave fizikë dhe juridikë në tregtinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Kovaçevski.

Vendet e BE-së dhe anëtaret e NATO-s, shumë seriozisht i kuptojnë sanksionet nga SHBA-ja dhe gjithnjë në të njëjtën kohë zbatojnë edhe vendime të tyre të cilat përfshijnë edhe persona të tillë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR