• e premte, 17 maj 2024

Kovaçevski nga Negotina: Me qytetarët do ta çojmë vendin edhe në BE dhe nga kjo nuk do të heqim dorë

Kovaçevski nga Negotina: Me qytetarët do ta çojmë vendin edhe në BE dhe nga kjo nuk do të heqim dorë

Negotinë, 29 prill 2024 (MIA) - Qytetarët do ta kujtojnë kur u ndryshua pushteti në qytetin e Shkupit dhe kur erdhi VMRO-DPMNE siç erdhi në Negotinë me kryebashkiakët e tyre, ishte nën kërcënim serioz se do të mbetemi pa shërbime normale nëpër komuna. E shoh këtë shesh në Negotinë që është tërësisht i prishur. Çfarë kryebashkiaku është ai që nuk mund të rregullojë tre pllaka dhe mburren se mund të rregullojnë mbarë vendin. Këtë e theksoi sonte nga Negotina, kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në një tubim me qytetarët.

Jam i vetëdijshëm, nënvizoi ai, se gjithëpërfshirja jonë dhe koncepti i një shoqërie për të gjithë, shpesh është keqpërdorur nga forca dhe struktura të caktuara politike në vend, për përfitime personale.

Kovaçevski përkujtoi se me LSDM-në Maqedonia u bë vendi kandidat për anëtarësim në BE.

"LSDM së bashku me qytetarët rrëzuan regjimin e Gruevskit. Një regjim që bllokoi të ardhmen tonë. LSDM është meritore që Maqedonia u bë anëtare e barabartë e NATO-s, ndërsa efektet i ndjejmë sot. Ju garantoj që LSDM, së bashku me ju dhe qytetarët do ta sjellim vendin në BE dhe nga kjo nuk do të heqim dorë. Unë, si dhe gjithë ne në LSDM, ndoshta e paguajmë çmimin e vendimeve të vështira, por kjo nuk duhet të na zmbraps nga ideja e progresit dhe përparimit thelbësor të shtetit. Maqedonia duhet të jetë shtet evropian dhe nuk ka rrugë tjetër për të bërë ndryshime reale në vend", theksoi Kovaçevski.

Të gjithë qytetarët që zgjodhën të mos dalin në qendrat e votimit më 24 prill, ai inkurajoi tani ta bëjnë këtë dhe të japin votën e tyre për të ardhmen e Evropës.

"I shtrijmë dorën të gjitha forcave progresive dhe pro-evropiane për bashkëpunim në të ardhmen. Bëjmë thirrje për mobilizim të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve më 8 maj. Ne duhet të ecim përpara, nuk ka kthim prapa, në trazira, përçarje dhe konflikte të brendshme! Rruga përpara është e qartë – një e ardhme në Bashkimin Evropian, krah për krah me demokracitë perëndimore. Këto zgjedhje ju ftoj të votoni për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe më të mirë për Maqedoninë. Të mos lejojmë që të kthehemi në kohën e qeverisjes 11-vjeçare të Gruevskit dhe DPMNE-së", tha Kovaçevski.

Jovanka Trençevska, bartëse e listës së kandidatëve për deputetë në njësinë e katërt zgjedhore, tha se pas tyre janë shtatë vjet punë e përkushtuar dhe e palodhshme për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, marrjen e vendimeve të vështira dhe kujdesin për të gjithë për të ecur përpara.

"Por padyshim diku kemi gabuar. Dhe për ato gabime në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ju na e dhatë porosinë. Na përkujtuat se nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë. Paratë në buxhet janë të qytetarëve dhe ne i kemi shpenzuar drejtë për qytetarët dhe për cilësi më të mirë të jetesës së tyre, por nuk mjaftuan. Na përkujtuat se 330 për qind ndihma sociale, 53 për qind pensione më të larta, 180 për qind pagë minimale më e lartë, 40.000 pagë mesatare nuk mjafton", theksoi ajo.

Venko Filipçe, bartës i listës, bëri thirrje për mobilizim për hir të gjeneratave të ardhshme. Pa iu nënshtruar, tha ai, “politikave të regjimit të vjetër të cilat kërcënojnë të ardhmen”.

Lupço Nikolovski, bartës i listës në Njësinë e tretë zgjedhore dhe ish ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave iu referua përfitimeve të vendimeve që zgjodhën problemet e shumanshme në vreshtari dhe sektorin e bujqësisë në përgjithësi. Ai foli për ndryshimet ligjore pozitive, grantet dhe subvencionet, masat dhe projektet, mbështetjen, ecurinë e kantinave të vogla familjare, zgjidhjen ligjore për çmimin e garantuar të rrushit për verë. Ndryshe, Nikollovski premtoi gjithashtu mbështetje më të madhe në të ardhmen.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR