• e hënë, 16 dhjetor 2024

Kovaçevski: Gruevski duhet të kthehet në vend që të përballet me drejtësinë

Kovaçevski: Gruevski duhet të kthehet në vend që të përballet me drejtësinë

Shkup, 7 nëntor 2023 (MIA)- Për ish kryeministrin dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski ka urdhërarrest për kthim në Maqedoni dhe ai duhet të kthehet, por që të përballet me drejtësinë, sipas ligjeve të këtushme dhe konform aktgjykimeve të organeve të pavarura gjyqësore, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në pyetjen e gazetarëve nëse përballet me presion për kthimin e abolicionit të ish presidentit Gjorge Ivanov me qëllim të krijimit të kushteve për kthimin e ish kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe për këtë çështje nëse ka biseduar me ish kryeministrin dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë Mile Zeçeviq, Kovaçevski tha se nuk ka pasur takim me ish kryeministrin Zaev, e as me Zeçeviqin.

Për të, tha ai, nuk është aktuale kthimi i Gruevskit.

"Në lidhje me temën aktuale e cila për mua nuk është aspak aktuale, në lidhje me kthimin e ish kryetarit të Qeverisë dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, mendoj se ajo është temë e absolvuar nga aspekti i asaj që fillimisht për të ka urdhërarrest që të kthehet në Maqedoni, dhe ai duhet të kthehet. Megjithatë duhet të kthehet që të përballet me drejtësinë konform me ligjet e Maqedonisë dhe konform me atë që është sjellur nga autoritetet e pavarura gjyqësore", tha Kovaçevski. 

Lidhur me komunikimin me organet e drejtësisë, kryeministri tha se nuk ka asnjë komunikim dhe se beson se duhet të punojnë në mënyrë të pavarur.

"Unë e kam thënë një herë dhe do e përsëris edhe një herë, unë nuk kam asnjë lidhje me organet e drejtësisë, sepse mendoj se ato duhet të punojnë në mënyrë të pavarur. Atë mund ta thotë cilido gjykatës, prokuror, kryetar gjykate, përveç rasteve kur takohemi në një ngjarje ku normalisht do të përshëndetemi me njëri-tjetrin duke pasur parasysh se përfaqësojmë autoritete të ndryshme në vend. Dhe për këtë mendoj se të gjitha këto tema janë interesante për t'u dëgjuar dhe lexuar, por mendoj se nuk ka bazë për të qenë një debat i vërtetë politik në vend", thotë kryeministri Kovaçevski.

I pyetur nëse ish kryeministri dhe kryetari i LSDM-së Zoran Zaev është i gatshëm të kandidojë për president, Kovaçevski tha se në parti ka një procedurë të definuar për kandidimin e kandidatëve për president.

"Çdo anëtar i partisë, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në Statut dhe rregulloret që zbatohen në parti, mund të kandidohet ose të vetë kandidohet gjë që ka ndodhur në parti në të kaluarën dhe më pas përmes debateve nga organizatat lokale përmes organizatave komunale deri te udhëheqësia, Këshilli ekzekutiv dhe Këshilli qendror, merret vendim se kush do të jetë kandidat presidencial prej partisë, natyrisht kandidat presidencial i koalicionit që do të dalë në zgjedhje. Procesi ende nuk ka filluar, por të gjithë kandidatët kanë gjasa të barabarta në atë garë, do të thosha, të kenë rastin të jenë kandidat për president nga radhët e LSDM-së", thotë Kovaçevski.

QËNDRONI TË LIDHUR