• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski fton për votim masiv më 8 maj, pret mbështetje për Pendarovskin nga të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë

Kovaçevski fton për votim masiv më 8 maj, pret mbështetje për Pendarovskin nga të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë

Shkup, 26 prill 2024 (MIA) - Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Dimitar Kovaçevski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 8 maj të dalin masivisht në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare dhe mohoi se LSDM dhe BDI dakordojnë bojkot të zgjedhjeve.

"Kjo nuk është e saktë. U bëj thirrje të gjithë votuesve që më 8 maj të dalin masivisht në qendrat e votimit dhe të mbështesin kandidatin për president Stevo Pendarovski dhe koalicionin 'Për një të ardhme evropiane' në zgjedhjet parlamentare. Pa përjashtim të kemi një pjesëmarrje masive, të zgjedhim president dhe përbërje parlamentare dhe Maqedonia të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimeve evropiane", ka thënë Kovaçevski.

Për rezultatet e dobëta të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale ku kandidati i tyre Stevo Pendarovski mori rreth 180 mijë vota, ai deklaroi se “është fakt se qytetarët kanë dërguar mesazh shumë të qartë të cilin LSDM-ja e ka pranuar qartë”. Ai pret më shumë mbështetje madje në raundin e dytë, në të cilin siç thotë, vazhdojnë “me kokën lart”.

"Ne e morëm porosinë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale për të gjitha gabimet që janë bërë gjatë shtatë viteve të fundit. Shtatë vjet nuk është periudhë e vogël për të drejtuar një qeveri. Por presim që në bisedime me qytetarët në të gjitha qytetet, në të gjitha fshatrat e vendit ta marrim mbështetje në raundin e dytë për kandidatin për president Stevo Pendarovski... Por me kokën lart vazhdojmë në raundin e dytë", tha Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me përfaqësuesit e MASIT.

Ai e di se për çfarë janë të pakënaqur qytetarët dhe se temat kryesore që i preokupojnë janë lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe standardi më i lartë i jetesës. Por, kusht kryesor që e gjithë kjo të realizohet, thekson lideri i LSDM-së është që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye programi i tyre titullohet “Për Maqedoninë evropiane”. Njëkohësisht ai tha se angazhohet për zbatimin e vetingut, dmth. kontroll të pronës së të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve.

Në pyetjen se nga kush do të kenë mbështetje në raundin e dytë dhe nëse pret transferim të votave nga partitë e tjera dhe nga qytetarët shqiptarë u përgjigj se presin mbështetje nga të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë.

"Askush nuk i ka votuesit nën kontrollin e tij, t'i mbajë diku dhe t'i detyrojë si të votojnë. Pendarovski është kandidat me mbi 22 mijë nënshkrime nga qytetarët dhe përkrahet nga koalicioni 'Për të ardhmen evropiane', duke përfshirë edhe Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë. Dhe ai në konferencën e tij për media tha qartë se do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve, jo të kandidatëve që nuk u kualifikuan në raundin e dytë", tha Kovaçevski.

Ai konfirmoi se si lider i LSDM-së ka pasur bisedime me partitë politike, siç tha ai, “në nivele të ndryshme”.

"Përfshirë edhe mua, kemi biseda me parti politike të niveleve të ndryshme dhe u bëj thirrje të gjithëve që të dalin masivisht në zgjedhjet e 8 majit dhe të zgjedhim president të vendit me të cilin do të kemi një të ardhme të sigurt evropiane të vendit dhe të zgjidhim parlament që do të sjellë vendime të guximshme për shtetin për t'u dhënë qytetarëve atë që presin dhe meritojnë", theksoi Kovaçevski.

Nuk është e vërtetë, tha ai, se Pendarovski ka marrë më pak vota se anëtarësia e LSDM-së, sepse, siç tha ai, partia që drejton ka 74 mijë anëtarë të regjistruar.

Në pyetjen nëse do të bart përgjegjësi dhe a do të japë dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta, Kovaçevski u përgjigj se deri te përgjegjësia dhe arsyet arrihet në bazë të analizave në nivel të organizatave komunale në parti dhe në nivel të Këshillit qendror dhe ekzekutiv.

"Pastaj organet e partisë marrin vendime se si partia do të vazhdojë përpara. Kështu ka qenë që nga formimi i partisë, kështu do të jetë edhe pas këtyre zgjedhjeve edhe pas çdo zgjedhjesh tjetër”, tha Kovaçevski.

Foto: printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR