• e enjte, 11 korrik 2024

Kosova e shpalli 11 korrikun Ditë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë

Kosova e shpalli 11 korrikun Ditë përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë

Prishtinë, 10 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e qeverisë e ka shqyrtuar Propozim-vendimin për shpalljen e 11 korrikut, ditë përkujtimore për gjenocidin në Srebrenicë, me ç'rast Qeveria e Kosovës mbajti një minutë heshtje.

Kryeministri Kurti tha se këtë vit shënojmë 25 vjetorin e çlirimit, kujtojmë masakrat e kryera nga Serbia edhe përkujtojmë të gjitha viktimat e luftërave të viteve të ’90-ta në Ballkan.

“Përkujtojmë me dhembje 8372 djem e burra të Srebrenicës të vrarë e të zhdukur nga Serbia në masakrën më të madhe të ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti përmendi edhe parakalimin e rreth 30 kadetëve të Akademisë Ushtarake të Beogradit në Prijedor.

“Forcat e Armatosura të Serbisë, kadet e veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd parakaluan në një paradë në Prijedor pa leje e pa pëlqim të shtetit të Bosnjës, vetë  katër ditë para shënimit të përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. Kurse ne sot po i bashkohemi memoralizimit të 11 korrikut si ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, bazuar në rezolutën që kemi miratuar në Kuvend që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në vijim të rezolutës në Parlamentin Evropian dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së gjatë majit të këtij viti”, tha Kurti.

Ai shtoi se ky është veprim fisnik e i duhur në emër të Kosovës, që të mos harrohet e mos të përsëritet më gjenocidi as në Bosnjë, as në Kosovë e askund tjetër në rajonin tonë në botë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR