• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kongresi i LSDM-së anulohet, do të vazhdojë pasi organizatat komunale të prononcohen për Raportin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Kongresi i LSDM-së anulohet, do të vazhdojë pasi organizatat komunale të prononcohen për Raportin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare

Shkup, 9 qershor 2024 (MIA) - Kongresi i sotëm i 29-të i LSDM-së është ndërprerë pasi udhëheqësitë e organizatave komunale kanë kërkuar kohë shtesë për përgatitje të raporteve për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Potencojnë se Kongresi i LSDM-së do të vazhdojë pasi organizatat komunale do të prononcohen për Raportin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa termini në mënyrë shtesë do të konfirmohet.

"Për shkak të materialit të madh të Raportit, i cili përmban pjesë politike, operative dhe analitike, organizatat komunale të LSDM-së kërkuan kohë që ta analizojnë, të prononcohen dhe të japin kontributin e tyre, në nivel të shtabeve zgjedhore komunale dhe në nivel të organizatave komunale në versionin përfundimtar të Raportit për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024. Propozimi është përkrahur nga shumica e delegatëve të pranishëm, me çka është marrë vendim që Kongresi të ndalë punën, të jepet kohë që organizatat komunale ta analizojnë Raportin, të prononcohen dhe të japin kontribut të tyre në versionin përfundimtar me vërejtje, sugjerime dhe konkludime", thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Në Kongresin e sotëm llogaridhënës të LSDM-së, siç thonë, janë analizuar rezultatet nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të këtij viti, në bazë të Raportit të përgatitur detajor.

Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski e elaboroi vendimin e tij për tërheqje nga funksioni.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së dhe shef i shtabit zgjedhor, Mile Zeçeviq - Vardarski e ka prezantuar Raportin detajor për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale 2024, pas çka është hapur diskutim lidhur me Raportin, ku janë përmbajtur edhe analizat e rezultatit zgjedhor. 

Kryetari i deritanishëm i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski para fillimit tha se pret që Kongresi i sotëm të jetë i suksesshëm dhe nga ai, siç tha, LSDM-ja të dalë më e fuqishme, më e bashkuar dhe të hyjë në procesin e finalizimit të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe udhëheqësisë së re.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse pret sulme të drejtpërdrejta nga anëtarët e partisë për udhëheqjen e partisë dhe humbjen që partia e ka përjetuar në zgjedhje, Kovaçevski tha se pret debat të hapur për të gjitha çështjet që kanë ndikuar në rezultatet zgjedhore.

Nënkryetari i deritanishëm i LSDM-së, Fatmir Bytyqi vlerëson se Kongresi i sotëm është pikë e kthesës së partisë.

"Atë që duhet ta bëjë çdo parti demokratike pas zgjehdjeve është që hapur dhe në mënyrë transparente të flitet për rezultatin zgjedhor, për të gjitha gjendjet para zgjedhjeve dhe si më tej në periudhën e ardhshme, posaçërisht pasi na pret një periudhë e periudhës brendapartiake. Vlerësoj se është pika e kthesës në parti dhe për këtë shkak është shumë e rëndësishme dita për mua", tha Bytyqi.

Kovaçevski, pas humbjes zgjedhore, në seancën e Bordit Ekzekutiv të partisë të mbajtur më 22 maj, zyrtarisht ka konfirmuar dorëheqjen nga posti i kryetarit të LSDM-së dhe ka kërkuar mbajtjen e kongresit dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme partiake.

"Kovaçevski e konfirmoi tërheqjen në seancën e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, të cilën e paralajmëroi më 8 maj, si akt shumë moral dhe në përputhje me Statutin e partisë, inicoi mbajtjen e kongresit me qëllim të analizimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe deklarim për besimin në organet e partisë, të zgjedhura nga Kongresi, duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve, njoftoi atëherë LSDM.

Ndërkohë, më 6 qershor ka përfunduar afati për kandidim për kryetar të LSDM-së. Në periudhën nga 31 maji deri më 6 qershor, afat i caktuar për kandidim, kandidatura për kryetar partie kanë dorëzuar ish-ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski dhe zëvendësministri aktual për shoqërinë informatike dhe administratën në qeverinë teknike, Aleksandar Bajdevski.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda partisë për kryetarin e ri të LSDM-së do të mbahen më 30 qershor. bsh/

Foto dhe video: LSDM

QËNDRONI TË LIDHUR