• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Konfiskohen 22 vetura gjatë aksionit të përbashkët të Doganës dhe MPB-së

Konfiskohen 22 vetura gjatë aksionit të përbashkët të Doganës dhe MPB-së

Shkup, 18 mars 2024 (MIA) - Në një aksion të përbashkët dyditor të Sektorit për Kontrollë dhe Hetime pranë Drejtorisë së Doganës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme janë konfiskuar 22 vetura me targa të huaja të drejtuara nga shtetas të Maqedonisë së Veriut, njoftoi sot Drejtoria e Doganës. 

"Veturat e konfiskuara janë të llojeve të ndryshme, ndërsa në mesin e tyre, katër vetura janë të llojit 'Mercedes', tre vetura janë të llojit 'Audi', dy vetura janë të llojit 'BMV', një veturë e llojit 'Teslla', etj., ndërsa të gjitha veturat ishin drejtuar nga shtetas të Maqedonisë së Veriut në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më shumë se gjashtë muaj", bëhet e ditur në kumtesë. 

Kundër kryerësve të kundërvajtjeve do të ngritet Kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse në gjykatën kompetente. 

"Në përputhje me kompetencat ligjore të Drejtorisë së Doganës, të cilat janë në përputhje me kriteret dhe kushtet e shënuara në Konventën e Stambollit për import të përkohshëm, dispozita nga Ligji Doganor dhe dispozita nga Dekreti për zbatimin e Ligjit Doganor, qytetarët e RMV-së dhe të huajt munden përkohësisht të sjellin dhe të drejtojnë veturë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre, por, më së shumti gjashtë muaj në periudhë prej 12 muaj, pas çka vetura duhet ta lëshojë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut", njoftojnë nga Dogana. 

Në të kundërtën, siç është bërë e ditur në kumtesë, do të duhet të paraqiten në zyrën më të afërt të doganës në vendin ku qëndrojnë përkohësisht dhe të fillojnë procedurë adekuate doganore për eksport ose import të përkohshëm të veturës. fc/

Fotografia: Drejtoria e Doganës

QËNDRONI TË LIDHUR