• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konferenca: Gratë janë më pak të përfaqësuara në poste drejtuese në polici, është e nevojshme të thyhen stereotipet dhe paragjykimet gjinore

Konferenca: Gratë janë më pak të përfaqësuara në poste drejtuese në polici, është e nevojshme të thyhen stereotipet dhe paragjykimet gjinore

Shkup, 7 mars 2024 (MIA) – “Gratë kanë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe demokratike. Me një përfshirje më të madhe të grave në polici do të përmirësohet edhe funksionimi i institucionit në tërësi. Pjesë kyçe e reformave evropiane është lufta kundër stereotipeve dhe paragjykimeve”, theksoi presidenti Stevo Pendarovski.

Në konferencën e sotme rajonale kushtuar gjinisë dhe sigurisë të organizuar nga OSBE dhe ODIHR të mbajtur në Shkup, ai përmendi se stereotipet në të kaluarën i vendosin gratë në pozitë të pabarabartë në sektorin e sigurisë. "Duhet t'i ndryshojmë këto zakone që janë të rrënjosura thellë në mentalitetin tonë", tha Pendarovski.

Sipas Pendarovskit, policia ka rol të pazëvendësueshëm në zbatimin e ligjeve, ruajtjen e rendit, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe ruajtjen e kufirit shtetëror. Siç shtoi ai, me ushtrimin e këtyre detyrave të rëndësishme, policia ruan gjënë më të vlefshme që ka një shtet, që është besimi i qytetarëve në vendin e tyre dhe në institucionet e tij.

“Përvojat nga vendet më të zhvilluara tregojnë se femrat police dhe pjesëtaret e njësive policore mund të zgjidhin me shumë sukses situatat që kanë të bëjnë me dhunën gjinore dhe në familje ku viktima janë gra dhe fëmijë”, shtoi Pendarovski.

Ai shtoi se është e nevojshme jo vetëm të rritet numri i grave në polici, por edhe të mbështetet avancimi i tyre në karrierë në çdo sektor, në çdo njësi.

Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkoski në konferencën e sotme informoi se sipas raportit të fundit nga viti 2023 për përparimin e kushteve të mundësive të barabarta për burrat dhe gratë, përqindja e përfaqësimit gjinor është 78,98 për qind për meshkuj, ndërsa 21,02 për qind për femrat. Shifra e viteve të fundit, siç tha ai, tregon një tendencë të lehtë në rritje. Por, shtoi ai, dallimi në përfaqësimin e të dyja gjinive është ende i madh.

Siç shtoi ai, e njëjta gjë vlen edhe për faktin se gratë janë më pak të përfaqësuara në pozita drejtuese në organet e zbatimit të ligjit, gjë që mund t'i atribuohet stereotipeve që lidhen me punën në polici.

 

Toshkoski theksoi se sipas të dhënave të fundit, numri i grave në pozita drejtuese në polici është në rritje, më saktë në vitin 2023 ishte 17,8 për qind, ndërsa në vitin 2019 ishte 12,5 për qind.

“Megjithatë, përqindja e përfaqësimit të tyre në poste drejtuese mbetet zhgënjyese. Sfidat shtesë me të cilat ballafaqohen gratë në punën policore janë mbajtja e tyre në punë, përfaqësimi i tyre në njësitë speciale, si dhe përparimi në sistemin e karrierës, që pjesërisht është për shkak të përpjekjes së tyre për të arritur një balancë mes jetës profesionale dhe asaj familjare”, shtoi Toshkoski.

Ai shtoi se lufta për punësimin e grave në polici vazhdon. Ai theksoi se pikërisht përmes Programit të Mentorimit Gjinor të mbështetur nga OSBE-ja, në të cilin janë trajnuar 150 pjesëmarrës për aftësime të ndryshme pune, është rritur ndërgjegjësimi i Ministrisë për diversitetin gjinor dhe nevojën për përfshirjen e grave në polici. 

Toshkoski kujtoi gjithashtu Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të vitit 2000, e cila ofron themelin mbi të cilin sot bazohet puna për fuqizimin e grave në profesione të ndryshme.

"Kjo Rezolutë pranon se gratë mund të luajnë një rol kyç në negociatat për paqen dhe konfirmon se zgjidhja e konflikteve dhe angazhimet për paqe janë gjithmonë më të qëndrueshme kur i konsiderojmë gratë si partnere të barabarta në parandalimin e dhunës dhe negocimin e paqes", shtoi Toshkoski.

Ai sqaroi se në MPB ka një iniciativë dhe vullnet politik për krijimin e Rrjetit të Grave në Polici – diçka që funksionon prej kohësh në disa vende të rajonit. 

 

Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Ual, sot në konferencë përmendi se OSBE-ja është fuqishëm e përkushtuar për barazinë gjinore.

“Po zbatojmë disa vendime ministrore për fuqizimin e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në publik dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kjo konferencë ilustron përkushtimin e fortë të OSBE-së për çështjet kryesore gjinore në sektorin e sigurisë. Gratë duhet të ulen në tavolinën ku merren vendimet në të gjitha nivelet dhe kjo nuk duhet të jetë temë e negociatave, tha Ual.

Ai informoi se sipas të dhënave të Institutit Evropian për Barazi Gjinore, përqindja e grave në sektorin e sigurisë është rreth 20 për qind, e cila mbetet pas asaj që rekomandohet me 30 për qind dhe është larg barazisë. Shifrat, tha ai, janë edhe më të këqija kur bëhet fjalë për përqindjen e grave në pozita udhëheqëse në sektorin e sigurisë.

Siç theksoi ai, duhet të thyejmë stereotipet gjinore në shoqëri, veçanërisht në sektorin e sigurisë dhe të hapim dyert e mundësive për të gjitha gratë.

Foto: Kabineti i Presidentit 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR