Kondarko: Kandidatët ta njohin Ligjin zgjedhor, të mos sulmojnë pa bazë punën e KSHZ-së
- Anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko në emër të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me rastin e reagimeve të disa prej kandidatëve për president gjatë nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të lira dhe demokratike, tha se kandidatët dhe partitë politike duhet ta njohin Ligjin zgjedhor dhe kompetencat e KSHZ-së nëse duan të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe jo të japin qëndrime të paverifikuara dhe paushale.
- Post By Fami Bajrami
- 18:21, 2 prill, 2024
Shkup, 2 prill 2024 (MIA) - Anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko në emër të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me rastin e reagimeve të disa prej kandidatëve për president gjatë nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të lira dhe demokratike, tha se kandidatët dhe partitë politike duhet ta njohin Ligjin zgjedhor dhe kompetencat e KSHZ-së nëse duan të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe jo të japin qëndrime të paverifikuara dhe paushale.
Kondarko në fillim të seancës së 92-të të KSHZ-së në një fjalimin procedural tha se KSHZ-ja nuk organizon debate publike politike, nuk i përcakton rregullat e lojës dhe nuk do të lejojë asnjë ndikim apo ndërhyrje të partive as edhe të kandidatëve.
"KSHZ-ja nuk është parti politike dhe as kundërshtar politik i asnjërit prej kandidatëve dhe me këtë reagim nuk ka për qëllim t'u bëjë ndonjë promovim, por duhet të reagojë dhe nuk mund të heshtë, sepse nga disa prej kandidatëve pati sulme direkte, presione dhe të pavërteta mbi punën dhe vendimmarrjen e KSHZ-së", ka thënë Kondarko.
Ai tha se KSHZ-ja nuk organizon debate publike politike, nuk shpërndan para për kandidatët dhe partitë, por kjo është e rregulluar me Ligjin zgjedhor. Siç tha ai, KSHZ-ja nuk miraton ligj zgjedhor dhe nuk përcakton rregullat e lojës, por se këtë e bën Parlamenti. Ai shtoi se KSHZ-ja nuk është Parlament dhe nëse kanë ndonjë vërejtje, kandidatët duhet t'i zgjidhin problemet në Parlament me partitë politike që votojnë Ligjin zgjedhor.
KSHZ, siç tha ai, zbaton vetëm Ligjin zgjedhor dhe angazhohet për organizimin e procesit zgjedhor konform kompetencave të veta ligjore.
Reagimi i Kondarkos vjen pasi kandidatët për president të vendit sot në KSHZ nënshkruan Kodin për zgjedhje të lira dhe demokratike, përveç kandidatit për president të GROM-it Stevço Jakimovski i cili tha se do ta respektojë Kodin, por nuk do ta nënshkruajë nëse KSHZ-ja nuk garanton se do të organizojë debate, duke theksuar se kandidatë të caktuar janë maksimalisht të favorizuar dhe se mjetet e fushatës nuk janë ndara në mënyrë të barabartë. Të tjerët u nënshkruan dhe u zotuan se fushatën do ta zhvillojnë konform Kodit, megjithëse disa prej tyre shprehën skepticizëm dhe reaguan që master debatet që ishin paraparë të mbaheshin u anuluan.
Foto: MIA