• e enjte, 09 janar 2025

Komuna e Tetovës do të ketë 48,5 milionë euro buxhet në vitin 2025, prej tyre 16,5 për investime kapitale

Komuna e Tetovës do të ketë 48,5 milionë euro buxhet në vitin 2025, prej tyre 16,5 për investime kapitale

Tetovë, 27 dhjetor 2024 (MIA) – Komuna e Tetovës sot i përfundoi debatet publike për propozim buxhetin për vitin 2025 me takim në të cilin propozimet e tyre i theksuan përfaqësues të organeve joqeveritare. Ditët e kaluara takime të tilla u mbajtën me përfaqësues të bashkësive lokale dhe vendbanimeve rurale. 

Një përfaqësues i organizatës joqeveritare kërkoi që të ketë hapësirë komunale për debate dhe aktivitete të ngjashme të shoqatave civile. Kryetari Kasami tha se për një hapësirë të tillë ka mundësi që të shfrytëzohet pjesa e objektit Radio Tetova ku tani ka market. Nga një shkollë e basketbollit kërkuan mbështetje financiare, për Kasami tha se do bëjë përpjekje që të ndihmohet. 

Në një deklaratë për mediat Kasami informoi se për vitin 2025 buxheti i Komunës Tetovë është projektuar të ketë 48,5 milionë euro. 

“Mund të mburrem se ky është një nga buxhetet më të mëdha në historinë e Komunës së Tetovës me gati 50 milionë euro. Më saktësisht, nga 48,5 milionë euro në këtë buxhet. Rreth 5 milionë euro do të jenë për investime kapitale. Po ashtu në vitin 2025 për Komunën e Tetovës do të sigurohen 11,5 milionë euro për investime kapitale nga fondet e kredisë hungareze. Gjithsej për vitin 2025 buxheti parashikon rreth 16,5 milionë euro për investime kapitale. Pjesa tjetër është për shpenzimet vijuese dhe kontributet e pagave e kështu me radhë. Mund të them se ky është buxheti më i favorshëm për Komunën e Tetovës dhe një falënderim të madh për Qeverinë me një nga projektet më të rëndësishme për mbështetjen e komunave, me të cilin realisht i ndihmojnë qytetarët në përmirësimin e standardit të jetesës”, theksoi Kasami.

Në pjesën e investimeve kapitale si projekte më të mëdha dhe me më prioritet Kasami theksoi se do të shfrytëzohen mjete për ndërtesë të re për shkollën e mesme të tekstilit dhe pishina për shkollat fillore “Cirili dhe Metodi” dhe “Naim Frashëri”. 

“Parashihen dy kanalizime atmosferike për lagjen Dardania dhe nënkalimin për në fshatin Falishë, të cilat ishin probleme permanent për qytetarët. Deri në 4 milionë euro janë planifikuar për infrastrukturën rrugore, në qytet dhe në fshatra, pothuajse në të gjitha fshatrat planifikohet të investohet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Përfundimi i unazës në Kodër të Diellit, e cila tashmë është e hapur, tani planifikohet asfaltimi dhe përfundimi i të gjitha fazave të tjera”, tha Kasami.

Për përmirësimin e furnizimit me ujë, dy milionë euro do të shfrytëzohen për ndërtimin e tubacionit të ri për burimet nga Mali Sharr si dhe rrjetit shpërndarës për një lagje urbane. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR