• e enjte, 31 tetor 2024

Komandanti i KFOR-it, Barduani: Zgjidhja e sfidave të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ushtarake, por politike

Komandanti i KFOR-it, Barduani: Zgjidhja e sfidave të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është ushtarake, por politike

Prishtinë, 30 tetor 2024 (MIA) – Komandanti i ri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Enriko Barduani, vlerëson se siguria e Kosovës është përmirësuar dukshëm nga periudha e pasluftës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në intervistën e mbrëmshme për radion e Prishtinës K4, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Barduani tha se “zgjidhja përfundimtare për sfidat e sigurisë nuk është ushtarake, por politike” dhe i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përfshihen në dialog politik. 

“Gjithashtu i bëj thirrje të dyja palëve, institucioneve në Kosovë dhe Qeverisë së Serbisë, që të angazhohen në dialog politik. Zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është në fund të fundit ushtarake, por politike. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, tha gjenerali Italian, i cili e mori komandën e KFOR-it në fillim të këtij muaji. 

Barduani vlerësoi se në botë situata e sigurisë zhvillohet shpejtë dhe përkeqësohet dhe porositi se nga ky evoluim nuk është përjashtuar as rajoni i Ballkanit Perëndimor. 

“Sa i përket sigurisë, në bazë të përvojave të mia të mëparshme, mund të them se gjendja e sigurisë në Kosovë në fakt është e përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Kjo është arsyeja pse KFOR-i ka reduktuar praninë e tij me kalimin e kohës. Më kujtohet se kontingjenti i KFOR-it fillimisht ishte i përbërë nga rreth 50.000 ushtarë të NATO-s, ndërsa sot numri i trupave është rreth 4.500. “Megjithatë, dhe për fat të keq, sot jetojmë në një botë në të cilën situata e sigurisë po evoluon dhe po përkeqësohet me shpejtësi dhe gjithashtu rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i përjashtuar nga ky evolucion. Në këtë kuptim, KFOR-i tashmë ka përshtatur praninë e tij në të gjithë Kosovën, duke përfshirë vendosjen e fundit të forcave rezervë të NATO-s, në mënyrë që të vazhdojë të ekzekutojë siç duhet detyrat e tij dhe të marrë të gjitha aftësitë e nevojshme që kërkon situata në terren”, tha Barduani.

Ai tha se KFOR-i do të mbështesë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar kushte për një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të ruajtur komunikimin dhe dialogun e hapur.

“KFOR-i do të mbetet një element integral i një përpjekjeje kolektive të kryer nga komuniteti i gjerë ndërkombëtar. Pra, mund të parashikoj që edhe në të ardhmen e afërt KFOR-i do të punojë ngushtë me një gamë të gjerë homologësh, nga Kombet e Bashkuara te Bashkimi Evropian, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë deri te Trupi Diplomatik në Prishtinë dhe në Beograd, nga Organizatat e Sigurisë së Kosovës deri te Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë. Shkurtimisht: transparenca, paanshmëria, përkushtimi dhe uniteti i përpjekjeve do të mbeten në qendër të misionit të KFOR-it dhe do të mbështesin aktivitetet tona të përditshme, siç është edhe sot”, deklaroi Barduani. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR