Koalicioni "VLEN": Mjaft më me gënjeshtra, manipulime dhe pasurim të paturpshëm familjar
- Lidhur me zbulimin epokal të sotëm të klikës së dëshpëruar të BDI-së se gjoja VMRO-DPMNE-ja po u shkruan kumtesat e koalicionit VLEN, deklarojmë si më poshtë: Duket se BDI-së i është ngatërruar lëmshi. Kjo nuk është periudha 2006-2017 kur BDI luante rolin e vasalit ndaj Gruevskit dhe Mijallkovit.
- Post By Fitore Curri
- 14:18, 22 shtator, 2024
Shkup, 22 shtator 2024
Lidhur me zbulimin epokal të sotëm të klikës së dëshpëruar të BDI-së se gjoja VMRO-DPMNE-ja po u shkruan kumtesat e koalicionit VLEN, deklarojmë si më poshtë: Duket se BDI-së i është ngatërruar lëmshi. Kjo nuk është periudha 2006-2017 kur BDI luante rolin e vasalit ndaj Gruevskit dhe Mijallkovit.
Është dëshpërim i thellë kur një parti që ka qenë 22 vite në pushtet bie në nivelin e përdorimit të një argumenti të tillë për sulme politike. Megjithatë, ne nuk do të lejojmë që megafonët e tyre të shpërndajnë marrëzira.
Për këtë arsye, duke marrë parasysh që komunikojmë edhe me media në gjuhën maqedonase, është e natyrshme që Qendra e Komunikimit e VLEN-it të angazhojë lektorë për rregullimin e teksteve tona. Nëse, në aspektin gjuhësor, një tekst korrektohet, mund të ketë nevojë që kjo të ndodhë në të dy versionet.
Nëse “dëshmia kryesore” e kësaj klike të kriminalizuar të BDI-së është fjalia “përktheje në shqip” në fund të versionit maqedonas të kumtesës së sotme, atëherë mund t’i quajmë lirshëm - nga një parti politike, në cirk politik.
Ka ardhur koha që Ali Ahmeti të zgjohet dhe të kuptojë se në opozitë nuk e kanë çuar partitë maqedonase, por shumica e popullit shqiptar, i cili në zgjedhje i tha: mjaft më me gënjeshtra, manipulime dhe pasurim të paturpshëm familjar!
Koalicioni VLEN
___________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.
Fotografia: Arkivi i MIA-s