• e hënë, 23 dhjetor 2024

KNKK: Më shumë njerëz përballen me rrezikun e minave sesa dy vjet më parë

KNKK:  Më shumë njerëz përballen me rrezikun e minave sesa dy vjet më parë

Gjenevë, 3 prill 2023 (MIA) - Më shumë njerëz përballen me rreziqet e minave dhe municioneve të pashpërthyera sot sesa dy vjet më parë, njoftoi sot Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

Tendenca alarmante është vënë në dukje nga Erik Tolefsen, kreu i Njësisë për Ballafaqimin me Kontaminimin e Armëve pranë KNKK, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Rritjen e Vetëdijes dhe Asistencës në Çminim, e cila shënohet më 4 Prill.

"Më shumë njerëz sot përballen me rrezikun e minave tokësore dhe municioneve të pashpërthyera se dy vjet më parë për shkak të luftimeve në Ukrainë dhe Etiopi që kontaminuan zona të mëdha vendbanimesh dhe toka bujqësore", tha Tolefsen.

Sipas tij, shumë njerëz kanë pësuar lëndime që kanë ndryshuar jetën, duke treguar se si aktivitetet e përditshme si mbjellja në kopsht apo edhe ecja nëpër lagje përbëjnë një rrezik vdekjeprurës.

Tolefsen tha se fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar.

"Efektet e minave tokësore dhe mbetjeve shpërthyese të luftës te njerëzit që jetojnë, kthehen apo kalojnë nëpër zona të kontaminuara dhe do të zgjasin me vite”, raportoi KNKK.

Në fund të vitit të kaluar, KNKK njoftoi se edhe minat dhe municionet e pashpërthyera janë një rrezik afatgjatë në rajonin rreth Ukrainës, rreziku është rritur që nga shkurti i kaluar.

Pjesë të rajoneve ukrainase të Donjeckut dhe Luganskut të Ukrainës ishin tashmë shumë të kontaminuara me mjete të pashpërthyera pas tetë vjet konflikti. E gjithë kjo është rritur shumëfish që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Edhe para kësaj, Ukraina ishte shtëpia e ekipit më të madh të KNKK-së për kontaminimin e armëve.

Vitin e kaluar u shënuan 25 vjet që nga miratimi dhe hapja për nënshkrim e Traktatit të Ndalimit të Minave nga viti 1997 dhe 30 vjet nga krijimi i Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Minave në vitin 1992.

Në gusht të vitit 2022, Hjuman rajts uoç (HRV) raportoi se përdorimi i municioneve kasetore nga forcat ruse shkaktoi dëm të përhershëm në qindra civilë ukrainas.

Në raportin e saj për monitorimin e municioneve kasetore të vitit 2022, HRV tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ndalojnë përdorimin e municioneve kasetore dhe t'i bashkohen Konventës për municion kasetor të vitit 2008. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR