• e shtunë, 21 dhjetor 2024

KE-ja parashikon rritje ekonomike në BE prej të paktën 1,5 për qind në dy vitet e ardhshme

KE-ja parashikon rritje ekonomike në BE prej të paktën 1,5 për qind në dy vitet e ardhshme

Bruksel, 15 nëntor 2024 (MIA) - Pas një periudhe të gjatë stagnimi, ekonomia e BE-së po shënon rritje të lehtë, ndërsa në të njëjtën kohë norma e inflacionit vazhdon të ulet, theksohet në parashikimin vjeshtor të Komisionit Evropian për perspektivat ekonomike të bllokut.

Zëvendëskryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian për ekonomi, Valdis Dombrovskis, vlerësoi se rimëkëmbja e vazhdueshme e ekonomisë së BE-së do të kontribuojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike në vitin e ardhshëm me rritjen e konsumit, falë forcimit të fuqisë blerëse, papunësisë rekorde dhe rritjes së pritshme të investimeve.

"Megjithatë, duke pasur parasysh pasigurinë aktuale gjeopolitike dhe rreziqet e shumta, nuk duhet të jemi të kënaqur. Duhet të trajtojmë sfidat strukturore afatgjate, të rrisim produktivitetin dhe të angazhohemi që ekonomia e BE-së të mbetet konkurruese në aspekt global", tha Dombrovskis.

Sipas tij, është me rëndësi jetike që vendet anëtare të BE-së të zbatojnë të gjitha reformat dhe planet e investimeve për rimëkëmbjen dhe qëndrueshmërinë dhe të ulin nivelet e borxhit publik konform rregullave të reja fiskale.

Komisari Evropian për ekonominë, Paolo Xhentiloni, tha se ekonomia evropiane po rimëkëmbet ngadalë, me ulje të inflacionit, rritje të konsumit të brendshëm dhe investimeve, si dhe ulje të papunësisë në një nivel rekord.

"Megjithatë, sfidat strukturore dhe pasiguria gjeopolitike ndikojnë në perspektivat tona të ardhshme. Vendet anëtare do të duhet të punojnë në uljen e nivelit të borxhit duke mbështetur njëkohësisht rritjen", vlerësoi Xhentiloni.

Ai tha se forcimi i konkurrencës së BE-së përmes investimeve dhe reformave strukturore është me rëndësi kyçe për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tejkalimin e rreziqeve gjeopolitike. Në raport, KE parashikon rritje të BPV-së në vitin 2024 në 0.9 për qind në nivelin e gjithë BE-së dhe 0.8 në eurozonë.

Për vitin e ardhshëm parashikohet rritje ekonomike prej 1.5 për qind në BE dhe 1.3 për qind në Eurozonë, ndërsa për vitin 2026 parashikohet rritje e BPV-së prej 1.8 për qind në nivel të gjithë bllokut dhe 1.6 për qind në Eurozonë në vitin 2026.

Sa i përket shkallës së inflacionit, parashikohet ulje në nivel të BE-së në fund të vitit nga 6.4 në 2.6 për qind, ndërsa në dy vitet e ardhshme ulje në 2.4 për qind në vitin 2025 dhe 2.0 për qind në vitin 2026. Kur bëhet fjalë për Eurozonën, KE vlerëson ulje të inflacionit nga 5.4 gjatë vitit të kaluar në 2.4 për qind këtë vit, në 2.1 për qind në 2025 dhe 1.9 për qind në vitin 2026.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR