Katër të lënduar të hospitalizuar në Athinë – gjithsej 12 persona po trajtohen në Greqi
- - Me aeroplan C - 27 Spartan të Forcave Ajrore Greke, gjatë natës nga Shkupi në Athinë janë transportuar edhe katër të lënduar në zjarrin në Koçan, me çka në Greqi për kurim janë gjithsej 12 persona, prej të cilëve pesë në Selanik dhe shtatë në Athinë, njoftoi korrespondentja e MIA -s nga Athina.
- Post By Qefsere Abduli
- 10:25, 19 mars, 2025

Athinë, 19 mars 2025 (MIA) - Me aeroplan C - 27 Spartan të Forcave Ajrore Greke, gjatë natës nga Shkupi në Athinë janë transportuar edhe katër të lënduar në zjarrin në Koçan, me çka në Greqi për kurim janë gjithsej 12 persona, prej të cilëve pesë në Selanik dhe shtatë në Athinë, njoftoi korrespondentja e MIA -s nga Athina.
Siç njoftoi mbrëmë MIA, bëhet fjalë për katër të rinj me djegie, të cilët tashmë janë të shtruar në dy spitale ushtarake në Athinë.
Aeroplani ushtarak rreth orës 22:30 është nisur nga aeroporti ushtarak i Athinës për në Shkup, ndërsa operacioni për transport ka përfunduar pas orës 2 pas mesnate.
Ky është fluturimi i dytë nga Athina për në Shkup në periudhë 24-orëshe, pasi të hënën në mbrëmje janë transportuar tre persona të lënduar.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis në Iks njoftoi sot në mëngjes se transporti i dytë ajror i viktimave të djegura nga Qendra Kombëtare e Ndihmës Urgjente (EKAV) u krye me sukses, me ndihmën e forcave ajrore ushtarake, "në kuadër të mbështetjes së Greqisë për Maqedoninë e Veriut".
"Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme dhe urgjente të Greqisë për Maqedoninë e Veriut, pas fatkeqësisë tragjike që ndodhi në qytetin e Koçanit dhe pas kërkesës së vendit fqinj deri te Mekanizmi Evropian për Mbrojtje Civile, dje me sukses është kryer transporti i dytë ajror drejt Athinës i edhe katër të lënduarve me djegie nga ana e EKAV. Aeroplani S-27 i Forcave Ajrore Greke me një ekip mjekësor të EKAV me dy mjekë dhe tre shpëtimtarë, u ul në orën 02:10 në Aeroportin Ushtarak të Elefsinës. Katër të lënduarit me djegie janë transportuar menjëherë dhe në mënyrë të sigurt nga njësitë mjekësore mobile EKAV, tre në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401 dhe një në Spitalin e Përgjithshëm 251 të Forcave Ajrore për trajtim të mëtejshëm", shkroi Georgiadis.
Ministri grek theksoi se deri më sot, numri i përgjithshëm i pacientëve me djegie që janë transportuar në Greqi dhe janë shtruar në spital është: gjashtë në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401 në Athinë; një në Spitalin e Përgjithshëm të Forcave Ajrore 251; tre në Spitalin e Përgjithshëm Papanikolaou në Selanik dhe dy në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 424 në Selanik.
"Qendra Operacionale Shëndetësore e Qendrës Kombëtare për Ndihmë Urgjente (EKAV), në kuadër të planit operacional për menaxhimin e transportit dhe hospitalizimit të të lënduarve me djegie, vijojnë të mbajë në gjendje të shtuar gatishmërie Repartet e djegieve në qendrat shëndetësore përkatëse në Selanik dhe Athinë", theksoi ministri i Shëndetësisë i Greqisë.
Ambasada greke në Shkup ka njoftuar në rrjetet sociale se aeroplani i Forcave Ajrore Greke, së bashku me ekipin mjekësor të Qendrës Kombëtare për Ndihmë Urgjente (EKAV), kanë kryer “fluturimin e dytë të evakuimit mjekësor me katër pacientë në kujdes intensiv, të cilët do të trajtohen në spitalet ushtarake 401 dhe 251 në Athinë”.
"Falënderojmë nga zemra EKAV-in për organizimin dhe koordinimin e misionit. Solidariteti me Maqedoninë e Veriut është i fortë", shkruan nga ambasada greke në Shkup dhe publikuan fotografi. qa/
Foto: Ambasada greke në Shkup