• e hënë, 23 dhjetor 2024

Katër autorët e dyshuar të sulmit në Moskë u sollën para gjykatës, dy prej tyre pranuan fajin

Katër autorët e dyshuar të sulmit në Moskë u sollën para gjykatës, dy prej tyre pranuan fajin

Moskë, 25 mars 2024 (MIA) - Para Gjykatës së Qarkut Basmani në Moskë dje dolën të gjithë katër të dyshuarit për sulmin në sallën e koncerteve në periferinë e Moskës, ku humbën jetën 137 persona, ndërsa 153 u plagosën.

Dy prej tyre, citon Skaj Njuz, e pranuan fajin për sulmin, por të gjithë do të mbesin në paraburgim së paku deri më 22 maj.

Siç transmetojnë mediat ruse, të dyshuarit akuzohen për "terrorizëm"  dhe mund të përballen me burg të përjetshëm.

Para Gjykatës dje dolën autorët e aktit të tmerrshëm që e shokoi botën: Dlaerxhon Barotoviç Mirzoev (32), Saidakrami Murodali Rapabalizoda (30), Shamsidin Fariduni (25) dhe Muhamedsobir Fajzov (19) të gjtihë shtetas të Taxhikistanit.

Sipas autoriteteve ruse, të gjithë katër shtetasve të Taxhakistanit u është caktuar paraburgim të paktën deri më 22 maj, para se të gjykohen.

Autoritetet ruse paraprakisht njoftuan se janë arrestuar 11 persona, ndër të cilët edhe katër sulmues.

Numri i të vdekurve në sulmin terrorist në sallën e periferisë së Moskës u rrit në 137, ndër të cilët edhe tre fëmijë, njoftuan dje hetuesit rus, duke shtuar se në vendin e ngjarjes kanë gjetur armë dhe municion.

Përgjegjësinë për sulmin e ndërmori grupi xhihadist Shteti Islamik. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR