• e diel, 22 dhjetor 2024

Këshilli i Sigurimit: Gjendja në vend stabile, institucionet kompetente rregullisht i ndjekin gjendjet në shtet dhe rajon

Këshilli i Sigurimit: Gjendja në vend stabile, institucionet kompetente rregullisht i ndjekin gjendjet në shtet dhe rajon

Shkup, 4 nëntor 2024 (MIA) - Gjendja në vend është stabile dhe nuk ka indikacione për rrezik ndaj kufijve, integritetit dhe sovranitetit të shtetit, u konstatua në seancën e sotme konstituive të Këshillit të Sigurimit, që u mbajt në Kabinetin e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova.

Në seancë, me të cilën kryesonte presidentja Siljanovska Davkova, kanë marrë pjesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë, Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, Vllado Misajllovski, ministër i Mbrojtjes dhe tre anëtarët e emëruar nga presidentja, Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vllado Spiridonov.

Me ftesë të presidentes Siljanovska Davkova, në punën e Këshillit të Sigurimit kanë marrë pjesë edhe shefi i Shtatëmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, drejtoresha e Agjencisë për zbulim, Gabriella Jakovleva dhe drejtori i Agjencisë për siguri kombëtare, Bojan Hristovski.

"Këshilli i Sigurimit në seancë konstatoi se gjendja në vend është stabile dhe nuk ka indikacione për rrezik ndaj kufijve, integritetit dhe sovranitetit të shtetit. Të pranishmit konstatuan se institucionet kompetente rregullisht e ndjekin gjendjen në vend dhe rajon dhe se sistemi i sigurisë kombëtare është funksional dhe siguron paralajmërim të hershëm për kërcënime dhe rreziqe eventuale", thuhet në kumtesën e Kabinetit të presidentes.

Njëheri, vlerësohet se pjesëmarrja e Armatës në NATO-misionet, BE-misionet dhe në misione në KB-së është e suksesshme dhe do të vazhdojë, ndërsa numri i pjesëmarrësve në misionet përcaktohet varësisht nga nevojat dhe vendimet e institucioneve kompetente.

Këshilli i Sigurimit do të takohet çdo tre muaj, ndërsa sipas nevojës edhe më shpesh, qëndron në kumtesë. bsh/

Foto: Kabineti i presidentes

QËNDRONI TË LIDHUR