• e hënë, 23 dhjetor 2024

Këshilli i Bankës Popullore: Politika monetare do të kontribuojë në ngadalësimin e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit devizor

Këshilli i Bankës Popullore: Politika monetare do të kontribuojë në ngadalësimin e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit devizor

Shkup, 3 shkurt 2024 (MIA) - Këshilli i Bankës Popullore në seancën e djeshme të rregullt miratoi Raportin kuartal për tremujorin e fundit të vitit 2023. Në raport thuhet se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, Banka Popullore nuk ka bërë ndryshime shtesë në përcaktimin e politikës monetare, në përputhje me kushtet në ekonomi. Niveli aktual i normës bazë të interesit, së bashku me ndryshimet në rezervën e detyrueshme, si dhe me masat makroprudenciale të marra, lejojnë ngadalësimin e inflacionit, në përputhje me pritjet dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit devizor. Duke marrë parasysh strategjinë monetare të kursit të qëndrueshëm të këmbimit të denarit në raport me euron, përcaktimi i politikës monetare të Bankës Popullore korrespondon me politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane.

Siç thuhet në njoftimin e Bankës Popullore, treguesit e fundit nga ekonomia vendase tregojnë një pasqyrë makroekonomike që më së shumti korrespondon me vlerësimet e tetorit. PBB-ja reale në tremujorin e tretë shënoi rritje vjetore prej 1.2 për qind, e cila është në përputhje me parashikimet e ciklit të tetorit (rritje prej 1.1 për qind).

"Të dhënat e disponueshme me frekuencë të lartë mbi aktivitetin ekonomik tregojnë shenja të hershme të përshpejtimit të rritjes vjetore në tremujorin e fundit të vitit, e cila aktualisht është në përputhje me vlerësimet e tetorit për rritje të moderuar të PBB-së në vitin 2023 prej 1.9 për qind dhe një rritje të mëtejshme për 3 për qind në vitin 2024 dhe 4 për qind në vitin 2025 - 2026. Rritja e tensioneve gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë dhe konfliktit midis Izraelit dhe Gazës dhe zgjerimi i tyre i mundshëm janë rreziqet kryesore në afat të shkurtër, të cilat mund të shkaktojnë përçarje në tregjet e energjisë dhe flukset tregtare globale", thuhet në kumtesë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2023, siç bëjnë me dije nga Banka Popullore, norma vjetore e inflacionit u ngadalësua më tej, duke zbritur në 3.4 për qind.

"Për të gjithë vitin 2023, norma mesatare vjetore e inflacionit është 9.4 për qind dhe është në përputhje me projeksionin (9.5 për qind). Sipas vlerësimeve të tetorit, për vitin 2024 pritet që inflacioni mesatar të ulet në nivelin 3.5 për qind deri në 4 për qind dhe më pas ai të stabilizohet rreth 2 për qind në periudhën afatmesme. Rreziqet e inflacionit ekzistojnë ende dhe lidhen kryesisht me çmimet e produkteve primare në bursat botërore, për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe ndryshimeve klimatike, si dhe ndryshimeve në çmimet dhe kërkesën e rregulluar", thuhet në kumtesë.

Në tremujorin e katërt të vitit 2023, siç thekson Banka Popullore, aktiviteti kreditor i sektorit bankar është forcuar mesatarisht në krahasim me tremujorin paraardhës, që është karakteristikë për fundvit.

"Megjithatë, në bazë vjetore, shkalla e rritjes së totalit të kredive vijon të ngadalësohet, në kushte të shtrënguara monetare, kështu që në tremujorin e fundit të vitit 2023 u ul në 5.1 për qind, që është pak më poshtë pritshmërive sipas projeksionit të tetorit. (5.7 për qind). Njëkohësisht, është vërejtur një rritje më e theksuar tremujore e bazës së depozitave dhe përshpejtimit të mëtejshëm të rritjes vjetore të depozitave, e cila arriti në 9.1 për qind, që është mbi pritshmëritë për fundin e vitit sipas projeksionit të tetorit (8.4 për qind). Në të njëjtën kohë, ka ende lëvizje të favorshme nga aspekti i strukturës valutore dhe afatgjate të kursimit  (rritje e depozitave afatgjata dhe në denarë), duke reflektuar efektet e masave të ndërmarra nga Banka Popullore dhe pritjet e stabilizuara të subjekteve ekonomike", citohet në kumtesë.

Sipas Bankës Popullore, pozita e jashtme e ekonomisë është e favorshme dhe mundëson rritjen e rezervave valutore. Të dhënat për rezervat valutore për tremujorin e katërt ishin më të mira se pritshmëritë sipas projeksioneve të tetorit, pra për të gjithë vitin 2023 ato arritën një rritje më të lartë se sa pritej dhe qëndruan në zonën e sigurt.

Në raport theksohet se kushtet për zhvillimin e politikës monetare janë ende të pasigurta, ndërkohë që ekzistojnë ende rreziqe për ekonominë globale dhe atë vendase në periudhën afatshkurte dhe afatmesme, për këtë arsye nevojitet kujdes i mëtejshëm, veçanërisht kur zbatohen politika makroekonomike që ndikojnë në kërkesën në ekonomi.

Banka Popullore, siç thuhet në njoftim, është ende e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masat e duhura që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm. sa/

Foto: Banka Popullore

QËNDRONI TË LIDHUR