Inzagi: Bajerni i Mynihut ka luajtur shumë intensivisht, ne u përgjigjëm si ekip
- Trajneri i Interit, Simone Inzagi ka shprehur lëvdata për futbollistët e tij, të cilët mbrëmë si vendas kanë luajtur baraz me Bajernin e Mynihut me rezultatin 2:2 në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së kampionëve. Ekipi nga Milano u kualifikua në gjysëmfinale me rezultat të përgjithshëm 4:3, pasi javën e kaluar fituan në Mynih me rezultatin 2:1.
- Post By Besnik Shuki
- 08:58, 17 prill, 2025
Milano, 17 prill 2025 (MIA) - Trajneri i Interit, Simone Inzagi ka shprehur lëvdata për futbollistët e tij, të cilët mbrëmë si vendas kanë luajtur baraz me Bajernin e Mynihut me rezultatin 2:2 në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së kampionëve. Ekipi nga Milano u kualifikua në gjysëmfinale me rezultat të përgjithshëm 4:3, pasi javën e kaluar fituan në Mynih me rezultatin 2:1.
"Mbrëmje e mrekullueshme. Fituam një ekip shumë të fortë para tifozëve tanë. Luajtëm dy ndeshje të shkëlqyera dhe dhamë gjithçka prej vetes. Djemtë ishin të shkëlqyer. Ne duhet ta ndajmë këtë fitore me të gjithë ata që kujdesen për Interin. Të ecim përpara! Ky sezon na jep shumë emocione pozitive. Bajerni luajti shumë intensivisht gjatë gjithë ndeshjes, por ne u përgjigjëm si ekip. Këtë mbrëmje do ta kujtojmë për një kohë të gjatë. Ky është një shpërblim për gjithë punën e vështirë që kemi bërë. Ne luajtëm kundër një ekipi të shkëlqyeshëm, por unë isha me fat që kisha njerëz të shkëlqyer që luajnë për mua. Djemtë sakrifikuan shumë. I përgëzoj për atë që bënë në fushë", deklaroi Inzagi.
Interi do të luajë kundër Barcelonës në gjysëmfinale të Ligës së kampionëve. Ndeshja e parë është më 29 prill në Barcelonë, ndërsa ajo kthyese me 6 maj në Milano. bsh/
Foto: EPA