• e mërkurë, 22 janar 2025

Ilire Dauti dorëzon dorëheqjen, kërkoi që në seancë plenare të jep shpjegim

Ilire Dauti dorëzon dorëheqjen, kërkoi që në seancë plenare të jep shpjegim

Shkup, 16 janar 2025 (MIA) - Deputetja Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, pjesë e “Frontit Evropian” për të cilën u votua interpelanca, sot nga foltorja e Kuvendit derisa ka zgjatur seanca e 30-të plenare, kërkoi nga kryetari i Kuvendit që t’i ndajë 15 minuta për të sqaruar dorëheqjen e saj nga pozita e kryetares së Komisionit parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini. Për këtë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi është përgjigjur se tani është duke u përcaktuar rendi i ditës dhe se Dauti do të mund ta shpjegojë dorëheqjen e saj në seancën plenare të caktuar për më 21 janar. Pas kësaj, Kuvendi ka dhënë pauzë.

"Tani jemi duke konstatuar rendin e ditës dhe në seancën e radhës të caktuar më 21 janar do të keni kohë të jepni shpjegim. Nëse doni të shkelni Rregulloren, në rregull. Unë ju them se është në kundërshtim me Rregulloren”, ka thënë Gashi.

Dauti insistoi që t'i jepen 15 minuta për ta shpjeguar dorëheqjen e saj.

"Nuk mund të më mbash me forcë, z.Afrim Gashi. Mësoni të respektoni Rregulloren, ligjet dhe procedurat. Pa dyshim sot do të dëgjohet zëri im dhe shpjegimi im për këtë akt të keq që ju keni bërë. Turp për ju! Kërkuat shkarkimin tim dhe ai shkarkim sapo ka ndodhur. Ju me forcë këtu nuk mund të më mbani. Prandaj dua ta ushtroj të drejtën time dhe ta shpjegoj. Kërkoj kohën e nevojshme prej 15 minuta për të shpjeguar dorëheqjen time", ka thënë Dauti.

Foto: Printskrin nga video

 

QËNDRONI TË LIDHUR