• e hënë, 10 mars 2025

Ibrahimi: Kryeministri të kërkojë hetim ekspertësh nga BE-ja për rastet gjyqësore për të cilat dyshohet për ndikim politik

Ibrahimi: Kryeministri të kërkojë hetim ekspertësh nga BE-ja për rastet gjyqësore për të cilat dyshohet për ndikim politik

 

Shkup, 17 shkurt 2023 (MIA) - Alternativa kërkon nga kryeministri Dimitar Kovaçevski që t'i dërgojë një letër Komisionit Evropian me të cilën do të kërkojë ekip të ekspertëve të pavarur për të kryer hetim ndërkombëtar për proceset për të cilat, sipas partisë, dyshohet se është ushtruar ndikim politik, siç janë “Monstra”, “Alfa”, “Lagjja e trimave”, “Almiri vogël”, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i partisë, Zeqiria Ibraimi.

"Arsyeja e konferencës së sotme për shtyp është deklarata e djeshme e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se do ta procedojë letrën për rastet e montuara në Komisionin Evropian, e cila ishte pika e dytë e marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi dhe ish kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, ndërsa e pranuar edhe nga kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski. Siç e di opinioni, menjëherë pas pikës për integrimin evropian në atë marrëveshje është vendosur edhe pika që Qeveria do t'i dërgojë një kërkesë zyrtare Komisionit Evropian duke kërkuar një ekip ekspertësh të pavarur për të kryer hetim ndërkombëtar të proceseve që dyshohet se u ushtrua ndikimi politik, si “Monstra”, “Alfa”, “Lagjja e trimave”, “Almiri vogël”, tha Ibrahimi, duke shtuar se partia nuk do të lejojë askënd të luajë me këtë çështje në dëm të njerëzve që janë në burgje, të familjeve të tyre, por edhe të gjithë qytetarëve”.

Ai tha se pas vendimit për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE në korrik 2022, në përputhje me marrëveshjen ndërpartiake, më 24 gusht 2022, Alternativa i ka dorëzuar kryeministrit Kovacevski letrën që është dashur të dërgohet në Komisionin Evropian.

"Mirëpo, ai u arsyetua me disa procedura teknike, derisa pas insistimit tonë që nëse letra nuk dërgohet nuk do të ketë shumicë, më 6 dhjetor 2022 zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq ia ktheu letrën kryetarit Gashi me disa vërejtje, për shpjegimet për secilin rast veç e veç, sepse i kemi përshkruar të gjitha rastet. Pas marrjes së tyre, pamë se vërejtjet ishin për shpjegime dhe se kërkesa si e tillë mbetet. Po atë ditë e kthyem, me pëlqimin tonë që letra mund të dërgohet. Dhe ja ku jemi sot, më 17 shkurt 2023, ndërsa letra ende nuk ka kaluar në Qeveri dhe nuk është dërguar në Komisionin Evropian", tha Ibraimi.

Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës i kërkoi kryeministrit që letrën t'ia dërgojë Komisionit Evropian dhe t'ia atribuojë meritat kujtdo, edhe pse vetë është autori i letrës.

"Dërgoni letrën në Komisionin Evropian dhe meritat merrni për veten, ndërsa ne do t'ju duartrokasim. Vetëm mos bëni më shaka me këtë temë. Për ne, mbarimi i punës është më i rëndësishëm se kush i merr meritat. Ne nuk duam falenderim dhe mirënjohje, por duam drejtësi për të gjithë njerëzit e pafajshëm në vendin tonë", tha Ibrahimi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski konfirmoi dje se pardje në takimin me deputetin Skender Rexhepi – Zejd, i cili vitin e kaluar u largua nga Alternativa dhe vepron si deputet i pavarur, është diskutuar për “një numër të caktuar të lëndëve gjyqësore” për të cilat ka pasur diskutim publik në lidhje me mënyrën e kryerjes së tyre, por jo në lidhje me rishikimin e supozuar ndërkombëtar të disa lëndëve të caktuara.

"Unë në asnjë rast nuk kam ndërhyrë në vendimet e gjyqësorit, as do ta bëj, as nuk do të konsultohem me autoritetet e huaja gjyqësore. E vetmja gjë që mund të bëhet është t'i dërgohet një letër Delegacionit Evropian për raste të caktuara nëse ata do të kenë një mënyrë për të bërë një monitorim se si trajtohen ato raste. Nëse ekziston një mundësi e tillë atëherë ata mund ta bëjnë atë brenda direktivave të BE-së. Nëse jo, ata do të përgjigjen. Megjithatë, letra ka për qëllim vetëm t'i dëshmojë të gjithëve se ne kemi organe gjyqësore që funksionojnë në mënyrë të pavarur. Kjo vërtetohet edhe sot me aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut", tha Kovaçevski në pyetjen e një gazetari. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR