• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hulumtim: Periudhat e ndryshimit të pushtetit ndikojnë më fuqishëm në punësimin e përkohshëm dhe shërbimet e konsulencës në sektorin publik

Hulumtim: Periudhat e ndryshimit të pushtetit ndikojnë më fuqishëm në punësimin e përkohshëm dhe shërbimet e konsulencës në sektorin publik

Shkup, 30 maj 2024 (MIA) - Proceset zgjedhore ndikojnë në dinamikën e punësimit të përkohshëm dhe shërbimeve konsulente në sektorin publik, por ndikimin më të madh e kanë periudhat e ndërrimit të pushtetit. Këtë e tregon hulumtimi i Shoqatës për Kërkim dhe Analizë (ZMAI), si pjesë e projektit Monitorimi i abuzimit të mundshëm të burimeve shtetërore, i mbështetur nga NDI dhe financuar nga Fondacioni Kombëtar për Demokraci (NED).

Një nga konstatimet kryesore të hulumtimit konfirmon pritshmëritë e opinionit publik në lidhje me punësimin - domethënë, megjithëse proceset zgjedhore kanë ndikim në punësimin e përkohshëm dhe punësimin e rregullt, qeveritë kanë një ndikim më të madh në to, veçanërisht në periudhat e ndryshimeve në strukturat qeverisëse.

Në hulumtim, vërehet se ka një ndryshim të fushëveprimit të tyre për sa i përket punësimit të përkohshëm dhe shërbimeve të konsulencës pas ndërrimit të qeverisë. Ndërsa disa grupe drejtuese preferonin shërbimet e konsulencës, të tjerët përdorën më shumë punësimin e përkohshëm. Pas ndryshimit të qeverisë shohim pagesa më të larta për punësim të përkohshëm dhe me kalimin e kohës ato ulen. Kjo ulje vjen si pasojë e rritjes së punësimit të rregullt, pra transformimit të punësimit të përkohshëm në punësim të rregullt.

“Është interesante dinamika, ku në fillimet e funksionimit të një strukture të caktuar qeverisëse, shohim rritje të punësimit të përkohshëm dhe shërbimeve të konsulecës. Me kalimin e kohës, angazhimet e tilla zvogëlohen, gjë që mund të jetë për shkak të shndërrimit të marrëdhënies së punës në punësim të rregullt”, thonë studiuesit.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës për Kërkim dhe Analizë - ZMAI, Viktor Mitevski, thotë se nga analiza e të dhënave rezulton se ciklet zgjedhore ndikojnë dukshëm në rrjedhat e punësimit të përkohshëm dhe të përhershëm, si dhe në punësimin e disa shërbimeve konsulente dhe shërbimeve të tjera kontraktuale në sistemin tonë.

“Mund të vërejmë se në rastin e punësimit të përkohshëm dhe shërbimeve të konsulencës, një grup politik preferon një dhe me ndryshimin e qeverisë ka ndryshim edhe në opsionin e preferuar, pra në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2016, shërbimet e konsulencës kanë një rëndësi shumë më të madhe në raport me punësimin e përkohshëm, por me ndryshimin e pushtetit, punësimi i përkohshëm merr përparësi, gjegjësisht kjo na tregon, siç thashë, se grupe të ndryshme politike preferojnë mënyra të ndryshme të punësimit të përkohshëm”, theksoi Mitevski.

I pyetur nëse duhet një vit që të rritet numri i të punësuarve, nëse në atë vit zvogëlohen ata që janë me kontratë, Mitevski thotë se në periudha të caktuara kjo vërehet.

“Në vitin 2015 është një moment interesant kur marrëdhënia e punës e një pjese të madhe të punonjësve në administratën publike transformohet me kontrata pune apo punësime të përkohshme dhe në ato vite vërehet një rritje e punësimeve të përhershme në sektorin publik”, thekson Mitevski.

Nëse analizojmë seritë kohore pak më të gjata, shton ai, shohim se me kalimin e periudhës së qeverisjes së një qeverie të caktuar, në fillim pas një viti kemi një rritje, por përsëri pas një deri në dy vjet vërehet një trend i rënies së numrit të punonjësve me marrëdhënie të përhershme pune në sektorin publik.

“Mund të ketë shumë faktorë që do të ndikonin në një trend të tillë, por më së shpeshti është edhe konkurrueshmëria, lëvizshmëria e fuqisë punëtore. Dhe nëse flasim për një afat më të gjatë, nga këndvështrimi i sotëm, do të jetë gjithashtu një trend - ulja e numrit të administratave publike do të vijë natyrshëm sepse edhe numri i banorëve/qytetarëve të këtij vendi është në rënie”, thotë ai.

Ai thotë se nuk kanë vërejtur trend që qeveria e re të largojë persona të punësuar me kontratë pune.

Për Mitevskin, ajo që është më e vështirë për t'u monitoruar është sistemi i fragmentuar dhe monitorimi i pushteteve lokale.

Robert Skot Hejzlet, drejtor i lartë i NDI-së, tha se keqpërdorimi i burimeve shtetërore minon parimet e qeverisjes së mirë, barazisë dhe drejtësisë, duke çuar në pasoja negative të përhapura për shoqërinë.

“Abuzimi me burimet shtetërore është pengesë për zhvillimin. Sundimi i ligjit dhe standardet etike janë minuar. Rritja ekonomike është në regres. Ka rënë besimi tek institucionet. Komunitetet e cenueshme nuk shërbehen kur fondet devijohen në disa grupe të zgjedhura. Gjithashtu, kur zyrtarët përdorin pushtetin për përfitime personale, kjo sjell efekte negative tek efikasiteti dhe efektiviteti i shërbimeve qeveritare. Kur burimet shtetërore përdoren për qëllime politike, kjo mund të shtrembërojë rezultatin e zgjedhjeve”, vuri në dukje Hejzlet.

“Duke përdorur të dhënat e disponueshme publikisht dhe duke i kryqëzuar ato, ZMAI do të krijojë një platformë interaktive që do të përdoret për të identifikuar ndikimin e proceseve zgjedhore në prokurimin publik, punësimin në sektorin publik dhe financimin e partive politike. Ky softuer është një zgjidhje inovative që do të identifikojë modelet e përsëritura të sjelljes. Ky softuer dhe të gjitha analizat do të kontribuojnë në përmirësimin e mënyrës së menaxhimit të financave publike. Analiza e paraqitur sot është e para në këtë seri dhe i referohet ndikimit të proceseve zgjedhore në punësimin e përkohshëm dhe të rregullt në administratën publike”, tha Hejzlet.

Ai vuri në dukje se kur formohen qeveritë, ka një rritje të punësimit të përkohshëm dhe shërbimeve të konsulencës dhe shtoi se me kalimin e kohës, këto angazhime zvogëlohen, gjë që mund t'i atribuohet transformimit të stafit nga statusit të përkohshëm të nëpunësit civil.

Aleksandra Kërsteska, menaxhere e lartë e programit në NDI dhe përgjegjëse për projektin për monitorimin e abuzimeve të mundshme të burimeve shtetërore në zgjedhje, thotë se NDI-ja së bashku

me ZMAI-n presin të zhvillojnë një platformë digjitale që do të përdorë të dhënat në dispozicion dhe do t'i referojë ato në për të monitoruar ndikimin e mundshëm të burimeve zgjedhore gjatë realizimit të prokurimeve publike, por edhe punësimin e përkohshëm dhe të përhershëm në sektorin shtetëror, por do të monitorojmë edhe financimin e partive politike.

“Nëpërmjet këtij procesi, ne si NDI shpresojmë se do të arrijmë të ndikojmë në përmirësimin e të gjithë procesit zgjedhor, pra të përmirësojmë legjislacionin aty ku është e nevojshme dhe në këtë mënyrë të krijojmë institucione më të përgjegjshme që do t'i përgjigjen kërkesave të qytetarëve për transparencë“, thekson Kërsteska.

Kjo është analiza e parë e ndikimit të zgjedhjeve në punësimin në sektorin publik, në shërbimet e konsulencës dhe në shërbime të tjera kontraktuale.

Analiza bazohet në të dhënat e disponueshme publike për transaksionet buxhetore të realizuara nga open.finance.gov.mk për periudhën 2010-2023 (ndërsa të dhënat për shëndetin publik dhe fondin e sigurimeve shëndetësore nuk janë marrë për shkak se nuk janë të disponueshme publikisht) dhe të dhënat për numrin e punonjësve të rregullt nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) për periudhën 2015-2023.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR