• e hënë, 23 dhjetor 2024

Hospitalizohen katër persona me kollë të mirë, 27 raste të reja

Hospitalizohen katër persona me kollë të mirë, 27 raste të reja

Shkup, 27 prill 2024 (MIA) - 27 raste të reja të kollës së mirë janë evidentuar nga data 19 deri më 25 prill, që është ulje prej 41,3 për qind, në krahasim me periudhën e kaluar shtatëditëshe. Nga të saposëmurët, katër persona janë hospitalizuar, bëhet e ditur në raportin më të ri të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Sipas raportit, pjesa më e madhe e rasteve janë regjistruar në kuadër të epidemisë në Shkup -20, ndërsa janë regjistruar edhe të sëmurë në Manastir - tre, Kumanovë - dy persona dhe nga një rast në Tetovë dhe Demir Hisar. 

"Mosha e të sëmurëve lëviz prej një muaj deri 54 vjet, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha prej 10 deri 14 vjet. Lidhur me statustin vaksinal të të sëmurëve, 15 persona janë vaksinuar jokomplet, të pavaksinuar ose kanë status të panjohur vaksinal, 11 janë vaksinuar komplet dhe një rast është vaksinuar në bazë të moshës", sqarohet në raportin e ISHP-së. 

Deri më 25 prill, në vend janë regjistruar gjithsej 516 raste me kollë të mirë, me incidencë prej 28,1/100 000 banorë. Kjo paraqet një rritje të disafishtë të numrit të pacientëve krahasuar me pesëvjeçarin e kaluar – 2019-2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste. Numri më i madh i njerëzve jetojnë në Shkup - 412 ose 79,8 për qind, duke mbuluar shtatëmbëdhjetë komuna të ndryshme. Në kuadër të epidemisë në Kumanovë janë raportuar 29 të sëmurë ose 5,6 për qind, ndërsa raste janë raportuar edhe në 16 qytete të tjera të vendit.

Shpërndarja sipas gjinisë tregon se 254 persona janë të gjinisë mashkullore, ndërsa 262 të gjinisë femërore.

"Lakorja e epidemisë tregon se shfaqja e rasteve të reja të kollës së mirë fillon në javën e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave nga regjistrat e regjistrimit - për një periudhë shtatëditore nga e hëna deri të dielën, vërehet rritje e vazhdueshme e numrit të rasteve në baza javore, deri në javën e 12-të. Nga java e 12-të, me variacione të vogla, numri i rasteve të raportuara ka pësuar rënie", thuhet në raportin e ISHP-së.

Nga të sëmurët, janë hospitalizuar 73 persona. Prej tyre, 59 të moshës deri katër vjet. Numri më i madh i rasteve -51 ose  69,9 për qind, janë hospitalizuar në KU për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle. Nga numri i përgjithshëm i personave të hospitalizuar, 67 janë lëshuar. Në mesatare, të sëmurët ishin hospitalizuar nga nëntë ditë, tregojnë të dhënat e Institutit. 

Nga 18 janari deri më 25 prill të këtij viti, janë dhënë gjithsej 42.857 doza të vaksinave që përmban komponentë kundër kollës së mirë. fc/

Fotografitë: Arkivi i MIA-s, ISHP

QËNDRONI TË LIDHUR