• e diel, 19 maj 2024

Hasani: Kryeshefi i SPB- Tetovë vazhdon të punojë kundër ligjit

Hasani: Kryeshefi i SPB- Tetovë vazhdon të punojë kundër ligjit

Shkup, 24 prill 2024 (MIA) - Shefi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Shefik Bajrami, vazhdon të punojë kundër ligjit, deklaroi sot pasdite në konferencën për media, Bashkim Hasani, anëtar i shtabit qendror të koalicionit "VLEN".

"Edhe pse sipas marrëveshjes së 'Përzhinës' për formimin e qeverisë teknike, zgjedhjet organizohen në koordinim mes zyrtarëve të partive në pushtet dhe opozitës, shefi i SPB-Tetovë nuk e respekton këtë, shkel Ligjin për organizimin e zgjedhjeve dhe refuzon çdo urdhër me shkrim të ministrit për Punë të Brendshme. Ai sot nga SPB Tetovë ka dëbuar këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme i cili me shkresë nga ministri është vendosur të jetë pjesë e shtabit të SPB Tetovë që të kujdeset për sigurinë e procesit zgjedhor dhe të vëzhgojë punën e këtij sektori.

Pasi këshilltari i ministrit me letër deri te ministri, ka marrë urdhër që të monitorojë procesin zgjedhor, ai është paraqitur në selinë e SPB-Tetovë, por kryeshefi Shefik Bajrami ka marrë urdhrin me shkrim nga ministri, e ka fotografuar dhe më pas ka biseduar në telefon më dikë, nga ku ka marrë urdhër që të gjithë ata policisë që nuk kontrollohen nga BDI të largohen nga selia. Më pas Shefik Bajrami i është drejtuar këshilltarit të ministrit me fjalët se duhet të largohet menjëherë nga zyra, pasi nuk është i dëshirueshëm të jetë aty", ka sqaruar Hasani.

Ai ftoi ministrin e Punëve të Brendshme që urgjentisht të marrë masa ndaj Shefik Bajramit dhe Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, por, siç tha, të veprojë urgjentisht në Tetovë dhe në Njësinë e gjashtë zgjedhore bazuar në kompetencat e tij ligjore si ministër, por edhe në bazë të Ligjit për organizimin e zgjedhjeve për të pasur një proces sa më demokratik dhe korrekt.

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR