Halandi afër rikthimit në fushë
- Rikuperimi i Erling Halandit po shkon sipas planit dhe sulmuesi së shpejti do të rikthehet në fushë për Mançester Sitin, deklaroi trajneri i ekipit Pep Guardiola. Lojtari tashmë është duke u stërvitur, por nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Premier ligës kundër Vulverhempton Vandereresit sonte.
- Post By Fami Bajrami
- 10:35, 2 maj, 2025
Mançester, 2 maj 2025 (MIA) - Rikuperimi i Erling Halandit po shkon sipas planit dhe sulmuesi së shpejti do të rikthehet në fushë për Mançester Sitin, deklaroi trajneri i ekipit Pep Guardiola. Lojtari tashmë është duke u stërvitur, por nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e Premier ligës kundër Vulverhempton Vandereresit sonte.
Halandi i cili ka shënuar 30 gola këtë sezon, ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit të Sitit pasi dëmtoi kyçin e këmbës në fitoren e çerekfinales së FA kupës ndaj Bornmuthit.
"Gjendja e tij po përmirësohet. Lëndimi zgjati gjashtë javë dhe tani është midis javës së katërt dhe të pestë. Po përmirësohet. Shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme do të jetë i gatshëm", u tha Guardiola gazetarëve.
Siti shpreson se Halandi do të jetë plotësisht i gatshëm për finalen e FA kupës më 17 maj dhe Kupën e botës për klube e cila fillon në qershor.
Megjithatë, ky turne në SHBA përbën një problem për Sitin sa i përket përgatitjeve të tyre për sezonin e ardhshëm. Nëse Siti arrin në finale, sezoni i tyre nuk do të përfundojë deri më 13 korrik, ndërsa nëse marrin pjesë në garën Komjuniti shild do ta fillojnë sezonin e ri katër javë më vonë, më 9 gusht. Kjo nuk lë mjaftueshëm kohë për pushim ose përgatitje para sezonit, ndërsa Guardiola pranon se nuk ka zgjidhje për këtë rast.
"Sinqerisht, nuk e di. Do të doja t'u jepja disa javë pushim, por nuk mund t'ua ofrojmë këtë. Lojtarët duhet të pushojnë psiqikisht dhe fizikisht, por orari është orar. Që në fillim e dinim se parasezonet do të ishin të shkurtra. Shpresojmë të kemi lojtarë të shëndetshëm. Nëse kemi lojtarë të shëndetshëm, mund të bëjmë rotacion dhe të menaxhojmë. Problemi është kur kemi lëndime. Nëse e kemi këtë, do të kemi probleme të mëdha", ka thënë Guardiola.
Foto: arkiv