• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykata Penale: Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes fillon më 4 shtator

Gjykata Penale: Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes fillon më 4 shtator

Shkup, 30 korrik 2024 (MIA) – Më 4 shtator fillon gjykimi për vrasjen e dyfishtë të të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, njofton Gjykata Themelore Penale Shkup.

"Për shkak të interesimit të mediave dhe organizatave joqeveritare që ndjekin punën e gjykatës, informojmë opinionin se seanca kryesore për rastin me K. nr. 1339/24 lidhur me vrasjen e dyfishtë të të miturës V. Gj. dhe P.Zh nga Velesi, në marrëveshje me palët, është caktuar për datën 04.09.2024 në ora 10:00 në sallën e gjyqit 1", thuhet në njoftimin që është publikuar sot në ueb faqen e Gjykatës Penale.

Nga atje shtojnë se seanca që ishte dashur të mbahej sot është ndërprerë pas propozimit për shtyrje të Prokurorisë Themelore Publike për shkak të bashkimit të dy procedurave.

"Duke pasur parasysh se hetimi ndaj të dyshuarit L.P. ka përfunduar dhe pas skadimit të afateve ligjore pas njoftimit për procedurën e përfunduar hetimore, do të ngrihet dhe dorëzohet aktakuzë, e cila i referohet të njëjtës ngjarje penale-juridike për të cilën udhëhiqet edhe rasti K. nr.1339/24 kundër katër të akuzuarve tjerë, ndërsa njëherit bëhet fjalë edhe për prova të njejta, nga PTHP Shkup, sipas nenit 28 të  Kodit të Procedurës Penale, do të bëhet propozim për bashkimin e dy procedurave", njoftuan atëherë nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup në maj të këtij viti ka ngritur aktakuzë kundër katër personave për rrëmbimin dhe vrasjen mizore të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Të akuzuar janë Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski.

Së fundmi ka përfunduar edhe hetimi për Lupço Palevskin, i dyshuari kryesor për rrëmbimin e dyfishtë dhe vrasjen brutale, si dhe për një person tjetër të dyshuar për ndihmë në veprën penale, ndaj të cilit procedura do të zhvillohet veçmas. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR