• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme e ndalon rritjen për 30 për qind për të punësuarit në Financa

Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme e ndalon rritjen për 30 për qind për të punësuarit në Financa

Shkup, 5 dhjetor 2023 (MIA) - Gjykata Kushtetuese shpreh dyshim në kushtetutshmërinë e rregullit të tanishëm të veçantë me të cilën paguhen 30 për qind si plotësim i pagës bazë për të punësuarit në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Drejtorinë Doganore, Inspektoratin Shtetëror të Devizave, Byronë për Furnizime Publike, Drejtorinë për Parandalim të Pastrimit të Parave dhe Financim të Terrorizmit, Drejtorinë e Policisë Financiare, të përmendura në Interpretimin autentik në Kuvend.

Për këto shkaqe, në mbledhjen e sotme, Gjykata, ka nisur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 66 paragrafi 3 dhe paragrafi 4 nga Ligji për buxhet. 

"Kjo nënkupton se në këtë fazë Gjykata shpreh dyshim në kushtetutshmërinë e rregullit të tanishëm të veçantë me të cilin paguhen 30 për qind si plotësim të pagës bazë të të punësuarve", deklaruan nga atje. 

Siç informuan nga Kushtetuesja, mundësitë janë të shfuqizohet ose të anulohet.

"Shfuqizimi nënkupton nga dita kur hyn në fuqi në Gazetën Zyrtare vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të vlejë më tutje neni i cili shfuqizohet. Përderisa, anulimi nënkupton se do të duhet të kthehen paratë e paguara", thonë nga Kushtetuesja.

Sipas Gjykatës, parashikimi i pagesës në këtë mënyrë siç është rregulluar në paragrafin e kontestuar, pa u vërtetuar paraprakisht një e drejtë e tillë në ligj për të punësuarit është në kundërshtim me sundimin e drejtësisë si vlerë themelore dhe në kundërshtim me nenin 32 paragrafi 5 i Kushtetutës, sipas të cilës realizimi i të drejtave të punëtorëve rregullohet me Ligj dhe marrëveshje kolektive. 

"Nga ana tjetër, Gjykata vlerëson se dispozita parashikon në mënyrë të pabazuar se një grup i veçantë i të punësuarve duhet të marrin shumë të caktuar të shprehur në përqindje, në bazë të pagesës së detyrave specifike dhe përgjegjësisë së veçantë. Që do të thotë se me këtë dispozitë, në pozitë të privilegjuar vendosen vetëm punëtorët që janë të përfshirë në nenin kontestues dhe në Interpretimin autentik, për dallim nga të gjithë punëtorët e tjerë shfrytëzues të buxhetit, gjë që është shkak për dyshim dhe duke pasur parasysh nenin 9 paragrafi 2 i Kushtetutës, i cili përcakton se të gjithë qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve", shtojnë prej aty.

Nga Gjykata Kushtetuese potencojnë se kjo dispozitë, paragrafi 3, përmban nocione juridike të cilat janë të paqarta dhe të pakuptueshme dhe të padefinuara me asnjë ligj, siç është shprehja "plotësim në pagë", sepse, siç thonë, në Ligje ekziston shtesë e pagës, ndërsa nuk dihet çfarë kategorie është plotësimi.

"Lidhur me të ashtuquajturën masë të përkohshme, Gjykata në seancë vendosi ndalimin e ekzekutimit të të gjitha akteve apo veprimeve që dalin nga neni 66 paragrafi 3. Kjo do të thotë se deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të bëhet asnjë pagesë apo plotësim i pagës në masën 30 për qind të punonjësve të caktuar. Masa e përkohshme vlen nga dita e miratimit, gjegjësisht nga sot. Bëhet fjalë për para të buxhetit, prandaj është miratuar masa e përkohshme", sqarojnë nga aty.

Siç informuan nga Kushtetuesja, nisma është parashtruar nga ana e qytetarit Mirosllav Draganov nga Shkupi.

Sipas dorëzuesit të iniciativës, nuk është e qartë se cilët punonjës kanë të drejtë të plotësojnë pagën bazë prej 30 për qind, cilët kanë qenë vendet e punës me specifika të duhura dhe përgjegjësi të veçanta dhe në bazë të cilave përcaktohen këto pozita dhe kush do të përcaktojë ata.

Thuhet se me vetë dispozitën ligjore vendoset bazë për veprim arbitrar nga organi i administratës shtetërore se kush ka të drejtë në shtesën e përcaktuar.

Në iniciativën ka pretendime se të punësuarit në Ministrinë e Financave të cilët kryejnë punë specifike dhe kanë përgjegjësi të veçanta, vendosen në pozitë të privilegjuar të pajustifikuar në raport me qytetarët që janë të punësuar në organe të tjera të administratës shtetërore dhe kryejnë detyra specifike dhe kanë përgjegjësi të veçantë, të cilët vendosen në pozitë të pabarabartë.

Sipas parashtruesit, me Interpretimin autentik, Kuvendi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës, sepse në procedurën për dhënien e interpretimit autentik të nenit 66, paragrafi 3 të Ligjit për buxhetet, ka ndryshuar dhe është plotësuar dispozita ligjore në kundërshtim me procedurën e miratimit të ligjeve. fc/

Fotografia: Gjykata Kushtetuese

QËNDRONI TË LIDHUR