Gjorgjievski: Shkupjanët po mbyten në mbeturina për shkak të mosfunksionalizimit të NP "Higjiena Komunale", fillojmë aksion për të shpëtuar qytetin
- – Kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i Kisella Vodës dhe kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të ardhshëm të Shkupit, Orce Gjorgjievski informoi se me nismë të kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovski sot u mbajt takim me të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit në kuadër të BNJVL, me qëllimin e vetëm, të gjendet zgjidhje për mosfunksionalizimin e NP "Higjiena Komunale”.
- Post By Fitore Curri
- 16:09, 22 tetor, 2025
Shkup, 22 tetor 2025 (MIA) – Kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i Kisella Vodës dhe kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të ardhshëm të Shkupit, Orce Gjorgjievski informoi se me nismë të kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovski sot u mbajt takim me të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit në kuadër të BNJVL, me qëllimin e vetëm, të gjendet zgjidhje për mosfunksionalizimin e NP "Higjiena Komunale”.
“Shkupi, për fat të keq, tashmë një kohë të gjatë është shndërruar në një deponi të madhe. Edhe pse disa herë kemi ndërhyrë gjatë viteve të kaluara, ato ishin vetëm ndërhyrje të përkohshme, dytësore sepse komunat nuk kanë mekanizëm të tyre, e as kompetenca që t’i zbrazin kontejnerët”, njoftoi Gjorgjievski në Fejsbuk.

Gjorgjievski, i cili hyri në rrethin e dytë si kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Shkupit, theksoi se gjatë ditëve të kaluara të gjithë kryetarët e komunave nga rajoni i Shkupit, me mbështetje të kompanive me përgjegjësi shoqërore bënë përpjekje që ta amortizojnë kaosin i cili e kaploi qytetin.
“Sot bisedojmë jo vetëm për atë si të veprojmë në ditët e ardhshme deri në fund të zgjedhjeve, por si përgjithmonë ta zgjidhim problemin me higjienën në Shkup. Do të kërkojmë mbështetje edhe nga kolegët tanë nga qyteti i Shkupit, me qëllim që bashkërisht të kontribuojmë për pastrimin e kësaj rrëmuje”, njoftoi Gjorgjievski.
Ai i bëri thirrje udhëheqësisë së ndërmarrjes “Drislla” të tregojnë mirëkuptim dhe të mos bëjnë obstruksione gjatë hyrjes së mekanizimit i cili do të dedikohet drejt transportimit të mbeturinave të cilat u grumbulluan në rrugët e Shkupit.
“Bashkëqytetarët tanë rregullisht i paguajnë faturat por për fat të keq, nuk e marrin shërbimin nga ndërmarrja publike. Për këtë do të japim gjithçka nga vetja në ditët e ardhshme, ndërsa siç premtova – në 72 orët e para pas marrjes së funksionit kryetar komune, përfundimisht ta pastrojmë Shkupin dhe do t’i japim fund kësaj agonie”, theksoi Gjorgjievski.
Gerasimovski para fillimit të takimit me përfaqësuesit e BNJVL për kaosin me mbeturinat në Komunën Qendër, por edhe në territorin e qytetit Shkup potencoi se duhet të gjendet zgjidhje urgjente për këtë problem i cili tashmë i kaloi të gjithë kufijtë e jetës normale.

“Gjatë pesë ditëve të fundit, nuk ka pasur asnjë kamion nga ndërmarrja komunale në territorin e Komunës Qendër. Ne kemi marrë me qira makineri shtesë, punëtorët tanë të higjienës punojnë në dy ndërrime për të larguar mbeturinat nga rrugët. Fatkeqësisht, as kjo nuk është e mjaftueshme, sinqerisht nuk është e mjaftueshme. Ne shohim se çfarë po ndodh çdo ditë, ne nuk kemi autorizim për të larguar mbeturinat nga vetë kontejnerët, ne as nuk kemi makineri të tilla, por ne largojmë vetëm mbeturinat pranë vetë kontejnerëve. Dhe kjo nuk është e mjaftueshme”, tha Gerasimovski.

Ai shtoi se ka edhe qenë endacakë të cilët i bartin të gjitha mbeturinat nëpër rrugë, që u shkakton problem shtesë punonjësve të higjienës.
“Por, japim gjithçka nga vetja që ta rrisim nivelin e higjienës në nivel më të lartë. Besoj se ndërmarrja publike do të vetëdijesohet dhe se në ditët e ardhshme do të dalë në Komunën Qendër dhe komunat e tjera që të hiqen mbeturinat nga rrugët”, tha Gerasimovski. fc/
Foto: FB Orce Gjorgjievski/Komuna Qendër