Gashi për regjistrimin elektronik të popullsisë: Është me rëndësi të zbatohet në mënyrën më të mirë dhe të besueshme dhe pa e politizuar procesin
- – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot për paralajmërimin e ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë do të zbatohet në mënyrë elektronike, theksoi se është me rëndësi që ai të zbatohet në mënyrë më të mirë dhe më të besueshme.
- Post By Fitore Curri
- 15:27, 6 prill, 2026
Shkup, 6 prill 2026 (MIA) – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot për paralajmërimin e ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë do të zbatohet në mënyrë elektronike, theksoi se është me rëndësi që ai të zbatohet në mënyrë më të mirë dhe më të besueshme.
“Mendoj se kjo është çështje që u takon institucioneve kompetente që përmendët, përgjegjëse për zbatimin e saj. Nëse ndihen të gatshme, kjo është shumë mirë. Nuk kemi asgjë kundër që të jetë sa më e lehtë të jetë e mundur. Është e rëndësishme që regjistrimi i popullsisë të kryhet në mënyrën më të mirë dhe më të besueshme, që qytetarët të besojnë se informacioni është i besueshëm. Mënyra se si do të kryhet, nëse ajo mënyrë digjitale është më e lehtë ose më e besueshme, atëherë shumë mirë, pajtohem. Nuk ka asnjë problem” tha Gashi në brifingun e sotëm me gazetarët.

Në lidhje me atë se në regjistrimin e ardhshëm do të përfshihet vetëm popullsia rezidente, kryetari i Kuvendit porositi se nevojitet sa më pak politizim i proceseve të tilla.
“Regjistrimi i popullsisë është procedurë statistikore që kryhet sipas EUROSTAT-it, këto janë kriteret ndërkombëtare, ne duhet t'i ndjekim ato. Sa më pak politizim i proceseve të tilla, aq më mirë. Fatkeqësisht, ne kemi tendencë të politizojmë gjithçka dhe dëmtojmë veten. Nëse i shohim gjërat në mënyrë objektive pse na duhen ato procedura, do të kishim një qasje tjetër. Unë jam i prirur të depolitizoj proceset”, theksoi Gashi.

Ministri Stefan Anonovski më 3 prill deklaroi se qëllimi është që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të jetë elektronik. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Dejan Stankov, tha se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë është planifikuar në nivel global të zbatohet rreth vitit 2030 dhe thekson se qëllimi është që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të zbatohet në mënyrë elektronike, gjegjësisht me shfrytëzim të burimeve administrative.
“Është e qartë, u tha edhe në programin e Qeverisë dhe në programin e partisë, se në vitin 2026 duhet të punohet për këtë, por ne e dimë që rregullat e Eurostatit që kjo ndodh çdo 10 vjet, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe duhet të punojmë në të gjitha regjistrat, në ndërveprimin e të dhënave, në mënyrë që të jemi të gatshëm ta bëjmë. Kemi kohë nga sot deri në afatin e fundit për kryerjen e atij regjistrimi, për të testuar fazat, natyrisht nën udhëheqjen e Entit Shtetëror të Statistikës, dhe jemi të sigurt se kur të vijë regjistrimi, do t'u besojmë si rezultateve ashtu edhe metodologjisë në bazë të së cilës do të kryhet”, deklaroi Andonovski.
Në lidhje me popullsinë rezidente dhe jorezidente, Stankovi thotë se është dukuri e njohur se popullata e cila merr statusin rezident jashtë vendit nuk e çregjistron statusin rezident në shtet dhe kjo është një nga lëshimet kryesore, por ato lëshime i tejkalojnë me metoda statistikore. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s/Kuvendi