Gashi në mbledhjen konstituive të Klubit të deputeteve: Vazhdoni me punën dhe përkushtimin tuaj, vazhdoni të ngritni zërin dhe të luftoni për veten, vajzat tuaja dhe për shoqërinë
- Deputete të nderuara: ju jeni protagonise të kësaj kauze, prandaj ju inkurajoj që të vazhdoni me punën dhe përkushtimin tuaj, të vazhdoni të ngrini zërin dhe të luftoni për veten tuaj, vajzat tuaja dhe për shoqërinë. Sepse, ashtu siç thotë një proverb i famshëm, “Sa herë që një grua lufton për veten e saj, ajo lufton për të gjitha gratë e tjera".

Shkup, 10 janar 2025 (MIA) - Deputete të nderuara: ju jeni protagonise të kësaj kauze, prandaj ju inkurajoj që të vazhdoni me punën dhe përkushtimin tuaj, të vazhdoni të ngrini zërin dhe të luftoni për veten tuaj, vajzat tuaja dhe për shoqërinë. Sepse, ashtu siç thotë një proverb i famshëm, “Sa herë që një grua lufton për veten e saj, ajo lufton për të gjitha gratë e tjera".
Ky është mesazhi kryesor nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalimin e tij në mbledhjen e sotme konstituive të Klubit të deputeteve.
"Këtij proverbi të qëlluar, mendoj se i mungon vetëm një pjesë: “Kush lufton për gratë, ka luftuar për njerëzimin.” Dhe për këtë arsye, përbërja e këtij organi, rëndësia e kësaj ngjarje dhe fisnikëria e kësaj kauze janë të pakrahasueshme. Mua më mbetet vetëm të shpreh respektin dhe nderimet e mia, prandaj po e përfundoj fjalën time duke ju falënderuar dhe duke ju uruar sukses në këtë periudhë të re të angazhimit tonë të përbashkët për barazi dhe drejtësi", tha Gashi dhe shtoi se kjo është një mbledhje e rëndësishme që pasqyron angazhimin tonë për promovimin dhe garantimin e barazisë gjinore.
Përveç rëndësisë organizative, kjo seancë konstituive është një mundësi për të reflektuar mbi punën e deritanishme të Klubit të Deputeteve, si dhe për të vlerësuar kontributin e çmuar në zhvillimin e politikave për barazi gjinore.
Me punën e këtij trupi, siç tha aji, u miratuan zgjidhje eseciale ligjore, që rregullojnë çështje të ndryshme të diskriminimit dhe dhunës ndaj grave, prandaj, me sinqeritetin më të madh, dua së pari të përshëndes këtë ngjarje dhe, njëkohësisht, të përgëzoj punën e pandalshme të Klubit të Deputeteve, si një organ i cili, që nga viti 2003 e deri më sot, ka shërbyer si një zëdhënës aktiv në forcimin e demokracisë dhe si një urë lidhëse mes institucioneve, organizatave dhe qytetarëve, për të siguruar një avancim të dukshëm të të drejtave të grave dhe përfaqësim më të drejtë në proceset e vendimmarrjes.
"Gjithashtu duhet të theksoj se, përtej të arriturave, barazia gjinore është më shumë se një parim i demokracisë – të paktën për mua – paraqet një detyrim moral dhe njerëzor. Kjo për arsye se besoj se asnjë shoqëri nuk mund të quhet e drejtë dhe e zhvilluar nëse nuk garanton mundësi të barabarta për gratë dhe burrat. Një shoqëri që nuk ka siguruar barazinë gjinore është një shoqëri që nuk ka shfrytëzuar kapacitetin dhe potencialin e saj të plotë dhe, si rrjedhojë, zhvillimi i saj është i kufizuar. Pra, vetëm duke siguruar barazi të plotë gjinore mund të arrijmë një zhvillim të qëndrueshëm, një shoqëri të shëndetshme dhe demokratike", theksoi Gashi.
Ai vlerëson se lufta për barazi gjinore nuk duhet të perceptohet vetëm si luftë e grave, por si një sfidë e përbashkët e shoqërisë sonë.
"Burrat duhet të jenë partnerë të barabartë dhe po aq aktivë sa edhe gratë në këtë luftë, sepse mendoj se përfitimet që sjell një shoqëri e barabartë nuk i shfrytëzojnë vetëm gratë, por edhe burrat. Prandaj, sot, me theks të veçantë, dua të nënvizoj nevojën dhe rolin e pashmangshëm që kanë burrat në ndryshimin e mentaliteteve, sfidimin e stereotipeve dhe mbështetjen e grave në jetën profesionale, sociale dhe politike. Vetëm duke u angazhuar së bashku mund të krijojmë një shoqëri ku çdo individ, pa marrë parasysh gjininë, ka mundësi të barabarta dhe respektohet për kontributin e tij/saj", theksoi në fjalimin kryetari i Kuvendit.
Ndër të tjera, shtoi se inkurajon këtë organ që, në aktivitetet dhe përpjekjet e ardhshme për të avancuar të drejtat dhe për të forcuar demokracinë, të përfshijë sa më shumë burra, qofshin ata deputetë, ekspertë, përfaqësues të institucioneve, profesorë apo qytetarë të thjeshtë.
Sa i përket Kuvendit, mund të jeni të sigurtë që do të vazhdojmë të mbështesim në çdo formë çdo iniciativë që i shërben promovimit të barazisë gjinore, përfshirë krijimin e kushteve për të siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave në proceset vendimmarrëse, apo forcimin e mundësive për gratë në fusha të ndryshme shoqërore e shkencore.
"Edhe unë, si Kryetar i Kuvendit, mbetem plotësisht i përkushtuar në avancimin e legjislacionit që garanton të drejtat e grave dhe, mbi të gjitha, ofron mbrojtje efektive ndaj çdo forme të diskriminimit dhe dhunës ndaj grave. Por, për të arritur këto synime, dua të përsëris, është e nevojshme një gjithpërfshirje dhe një bashkëveprim mes të gjithë aktorëve – burrave dhe grave, Kuvendit dhe Qeverisë, organizatave dhe mediave – të gjithë pa dallim kanë detyrë në këtë proces. Sot, duke konstituuar këtë trup, Kuvendi po hap një kapitull të ri të angazhimit institucional për të ndihmuar realizimin e këtyre objektivave. Klubi i Deputeteve është dhe do të mbetet një mbështetje e pashoq për çdo nismë dhe veprim që do të sjellë ndryshime pozitive për shoqërinë tonë", tha Gashi. ls/
Foto: Kuvendi i RMV-së