• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Gashi: Kjo është interpelancë kundër përkatësisë fetare të kryetarit të Kuvendit, për Apasievin kryeparlamentari është mjeshtër i skandaleve

Gashi: Kjo është interpelancë kundër përkatësisë fetare të kryetarit të Kuvendit, për Apasievin kryeparlamentari është mjeshtër i skandaleve

Shkup, 3 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, lidhur me interpelancën e dorëzuar për punën e tij tha se demokracia është mundësi për të dëgjuar mendimet e kundërta, por "kjo nuk është interpelancë ndaj Afrim Gashit, por kundër përkatësisë fetare të kryetarit të Kuvendit".

Kush ka legjitimitet në vendin tonë, potencoi Gashi nga platforma parlamentare, të gjykojë se kush mund apo nuk mund të jetë kryetar i Kuvendit, vetëm pse vjen nga një bashkësi etnike.

"Parlamenti është vendi ku duhet të ketë llogari, ndërsa qytetarët e bëjnë gjykimin përfundimtar. Unë si person jam i hapur dhe nuk i fsheh asgjë askujt, por dua qasje të hapur ndaj të gjitha çështjeve. Prandaj shtroj publikisht një pyetje, kujt i shërben kjo interpelancë dhe për çfarë qëllimi. Jam i sigurt se përgjigjja e këtyre pyetjeve jep thelbin e kësaj interpelance. E Majta është një parti që ideologjikisht duhet të bashkojë dhe të ushqejë popullin me teorinë e barazisë, por fatkeqësisht në realitet është një parti që shumë shpesh është e profilizuar në ekstremin e djathtë me pikëpamjet e saj - kundër integrimit tonë euroatlantik, angazhimit tonë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përkushtimi jonë për harmoninë ndëretnike. Është shumë keq kur luhet karta e nacionalizmit, për të dënuar tjetrin pa dëgjuar palën tjetër. Nuk duhet një kuptim i thellë i politikës për të parë se ata që janë kundër rrugës sonë evropiane dhe kërcënojnë kohezionin tonë të brendshëm etnik, se po punojnë kundër ekzistencës së shtetit tonë", deklaroi Gashi.

Ndonëse interpelanca duket e formuluar ligjërisht, sipas Gashit ajo është thjesht e motivuar politikisht dhe vetë teksti është përplot me islamofobi dhe shqiptarofobi.

"Kjo nuk është interpelancë kundër Afrim Gashit, por kundër përkatësisë fetare të kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk është interpelancë kundër tejkalimit të kompetencave të kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe angazhimeve për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, kjo nuk është interpelancë për shkeljen e pretenduar të Ligjit për gjuhët, por për shkak të fobisë kundër gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të kryetarit. Kjo nuk është interpelancë ndaj flamurit të BE-së dhe NATO-s, por interpelancë drejt qëllimit tonë strategjik", deklaroi Gashi.

Për të, ashtu siç potencoi, është më e rëndësishme të mbetet me fytyrë të pastër dhe shpirt të pastër.

"Unë nuk do të replikojë dhe debatoj. Do të tërhiqem dhe nuk do ta drejtoj seancën. Do të dëshiroja që të vendosni pa asnjë presion, ashtu siç mendoni se është më e mira për vendin", deklaroi Gashi.

Deputeti dhe lideri i partisë "E Majta", Dimitar Apasiev, duke shpjeguar arsyet e interpelancës së dorëzuar, tha se ajo është bazuar në shtatë pika, por edhe pse në ndërkohë ka bërë edhe tre katër skandale të tjera, për "dasmën në Kosovë" dhe këndimin e "Shotës me 2 gusht", siç ka theksuar ai do ta lërë të flasë kryeministrin Hristian Mickoski.

Interpelanca, siç thekson Apasiev, bazohet në shkeljen e parimit të laicitetit – me ritin fetar të bashkësisë islame në Kuvend, të rregullave diplomatike për sigurimin e personave VIP – me incidentin në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës, përdorimin e gjuhës maqedonase - me rastin e dhënies së deklaratës solemne, rregullat për përdorimin e flamurit shtetëror, stemës dhe himnit, parimi i papajtueshmërisë së funksioneve - duke mos konfirmuar ndërprerjen e mandatit të deputetit Talat Xhaferi, të dispozitave ligjore dhe etike për antinepotizëm – prania e bashkëshortes së Gashit në delegacionin shtetëror në Uashington dhe për shkelje të rregullores për punë normale të deputetëve.

"Për dallim nga paraardhësi juaj, Talat Xhaferi i cili ishte mjeshtër i skandaleve, ju e keni tejkaluar atë dhe praktikisht në 100 ditë keni bërë një breshëri skandalesh dhe ndoshta jeni bërë mjeshtër i madh", deklaroi Apasiev.

Do të shohim, theksoi Apasiev, nëse sot deputetët e VMRO-DPMNE-së do t'ju sigurojnë pandëshkueshmëri, duke theksuar se në këto 100 ditë është shkelur Kushtetuta dhe katër ligje - Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, Ligji për Kuvendin, Ligjin për deputetët dhe Kodi Zgjedhor.

Debati pas interpelancës së punës së kryetarit të Kuvendit zgjat një ditë pune, deri në shterjen e të paraqiturve për të marrë fjalë - gjithsej 21 deputetë. Seanca e sotme e 13-të e Kuvendit është seanca e parë plenare pas pushimeve të deputetëve.

Interpelanca është dorëzuar nga grupi parlamentar E Majta, ndërsa sipas paralajmërimeve, mbështetje do të japë LSDM-ja opozitare, ndërsa VMRO-DPMNE dhe partneri i koalicionit "VLEN" nuk do ta mbështesin interpelancën. rq/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR