• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gashi: Atdheu im është Maqedonia e Veriut

Gashi: Atdheu im është Maqedonia e Veriut

Shkup, 7 qershor 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot përmes një statusi në Fejsbuk e sqaroi intervistën për një televizion kosovar, duke theksuar se atdheu i tij është Maqedonia e Veriut. 

"Kur flasim per temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut. Për shkak të opinionit po shpjegoj se deklarata e saktë në intervistën time ishte se 'Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre'", thotë Gashi.

Ai theksoi se gjuha shqipe përdor emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe si dhe shtoi se për të është me rëndësi se si shihet shteti, a punohet për përparim të tij ose kthim prapa.

"Megjithatë, besoj se ne e kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë, sa të mos kërkojmë shpjegime të hollësishme të nocioneve si vendlindja, atdheu ose mëmëdheu, pasi shqipja përdor edhe një emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe. Për mua gjëja më e rëndësishme është që me veprat tona të tregojmë se si e shohim ne vendin tonë, cili është përkushtimi ynë ndaj tij, cili është kontributi ynë dhe cili është dallimi mes atyre që e ndërtojnë dhe e pasurojnë atë dhe atyre që e shkatërrojnë dhe e vjedhin atë. Pohimet dhe deklaratat patriotike nuk u sjellin dobi qytetarëve dhe ne nuk jemi këtu për të garuar se kush është më patrioti. Mua nuk më pëlqejnë debatet e tilla dhe kjo është hera e fundit që unë deklarohem për këtë temë", thotë Gashi. 
 

Mandatari i qeverisë së ardhshme Hristian Mickoski deklaroi dje se nuk e ka dëgjuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi se atdheu i tij është Kosova, dhe tha se nëse kjo është kështu ai duhet sa më shpejtë tu kërkojë falje qytetarëve. 

"Unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e Afrim Gashit. Unë mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Dhe nga ajo që kam biseduar me zotëri Afrim Gashin, kam dëgjuar personalisht nga ai se atdheu ynë i përbashkët është Maqedonia jonë e përbashkët. Nuk di për një deklaratë të tillë, nuk e kam dëgjuar. Por nëse ka deklaratë të tillë, atëherë duhet t'u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë. Dhe atë duhet ta bëjë sa më herët, pasi prej këtu merr pagë dhe nga ana e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, vllehëve, boshnjakëve është zgjedhur për kryetar të Kuvendit të Maqedonisë", deklaroi mandatari Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas ndarjes së mandatit në Vilën Vodno. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR