Gashi: Është me rëndësi të kemi Kod të mirë Zgjedhor, pa marrë parasysh nëse është i ri ose i ndryshuar
- – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarët në lidhje me Kodin Zgjedhor theksoi se nuk është me rëndësi nëse do të jetë i ri ose i ndryshuar, por siç tha, të kemi Kod të mirë Zgjedhor.
- Post By Fitore Curri
- 15:09, 6 prill, 2026
Shkup, 6 prill 2026 (MIA) – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarët në lidhje me Kodin Zgjedhor theksoi se nuk është me rëndësi nëse do të jetë i ri ose i ndryshuar, por siç tha, të kemi Kod të mirë Zgjedhor.
“Grupi i punës për Kodin Zgjedhor të mërkurën do të ketë mbledhje të re. Po punojnë në mënyrë intensive. Shpresojmë se do të arrijnë në zgjidhje. Mendimi im është që të kemi Kod të ri Zgjedhor. Nuk është me rëndësi nëse është i ri ose i ndryshuar. Nuk është me rëndësi si do të arrijmë aty. Është me rëndësi të kemi të mirë, të besueshëm, me rregulla korrekte të lojës ku të gjithë do të ndjeheshin të barabartë para ligjit”, tha Gashi.
Kryetari i Kuvendit informon se nesër do të realizojë takim me kryetarët e deritanishëm të Shtëpisë Ligjvënëse. Si theksoi, ideja e tij për takim të tillë ishte që të tregohet respekt ndaj tyre, por edhe si ata të ndihmojnë dhe t’i transmetojnë përvojat e tyre si ish kryetarë të Kuvendit.
“Ne tashmë patëm një takim, ndërmjet rrethit të parë dhe të dytë zgjedhor. Ideja ishte e imja për të gjetur mënyrë për të përdorur përvojën e ish-kryetarëve të Kuvendit. Mendoj se është një përvojë e paçmuar që çdo kryetar aktual i Kuvendit do të bënte mirë ta përdorte. E shpreha si ide në atë takim dhe pashë që të gjithë ish-kryetarët e tjerë ishin dakord dhe e mirëpritën idenë si shumë të mirë. Në takimin e parë, nuk erdhën vetëm Talat Xhaferi dhe Jovan Mitreski.. Morën pjesë katër ish-kryetarë. Nuk është e detyrueshme. Është me vullnetin e tyre të lirë. Të gjithë ish-kryetarët e Kuvendit janë të ftuar në takim dhe nesër do të shohim se kush do të vijë. Do të diskutojmë se si do ta formalizojmë atë, në mënyrë që të jetë organ këshillimor. Ideja ka dy komponentë - e para është të shprehim respekt për ta dhe e dyta është të përdorim përvojën e tyre. Gjithashtu e kuptuam atë ditë kur biseduam se disa nga problemet me të cilat u përballën ata janë të njëjtat që kemi edhe ne sot”, tha ai.
Gashi theksoi se qëndrojmë dobët në pjesën e shfrytëzimit të përvojave të ish funksionarëve, pa dallim nëse janë presidentë të shtetit, kryeministra, deputetë... Qëllimi i tij është që këto takime të bëhen praktikë e rregullt të paktën tri herë në vit, por sipas nevojës të mund të mbahen edhe ad-hok.
"Mund të kemi dallime ideologjike dhe partiake, por kur ke kryer një funksion kaq të rëndësishëm, atëherë ai është mbi ideologjitë dhe dallimet politike. Dhe përvojën që ke fituar, nuk mund ta mbash vetëm për vete. Duhet ta transferojmë atë përvojë dhe të gjejmë një mënyrë për ta përdorur", tha ai.
Gashi informoi se sot ose nesër do të publikohet konkursi për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor, i cili paraprakisht ishte anuluar.
Spikeri njoftoi se është vendosur praktikë e re që deputetët të përfshihen drejtpërdrejtë në kanalin e Kuvendit para fillimit të pyetjeve të deputetëve. “I informova të gjitha grupet e deputetëve të jenë në rrjedhë, të bashkëpunojnë me kanalin e Kuvendit. Mendoj se kjo është në interes të qytetarëve, të jemi të kapshëm dhe ta zhvillojmë edhe kanalin e Kuvendit në pjesën e shikueshmërisë së Kuvendit”, tha ai.
Në mbledhjen e re të Kuvendit të caktuar për 8 prill në rend dite do të jetë parashtrimi i pyetjeve të deputetëve nga deputetët e opozitës.
Për shkak të festave të Pashkëve, siç informoi Gashi, në koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare biseduan që të mërkurën të thirren mbledhjet e komisioneve që të enjten të mos punojnë deputetët.
Në Kuvend të mërkurën do të mbahet edhe ngjarje me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, 8 prill në organizim të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për mbështetje të të drejtave të romëve, përfshirje të tyre dhe integrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s