• e hënë, 23 dhjetor 2024

"Fuqia dhe roli i gruas në shoqëri" panel-diskutim i organizuar nga Qendra e Kulturës në Tetovë

Tetovë, 8 mars 2024 (MIA) - Qendra e Kulturës "Ilo Anteski-Smok" organizoi një panel-diskutim të titulluar "Fuqia dhe roli i gruas në shoqëri"-"Në kërkim të barazisë dhe të drejtave" me pjesëmarrjen e grave nga disa institucione shtetërore dhe sektori joqeveritar nga Tetova.

Kaltrina Sulejmani nga Qendra e Kulturës e filloi panel-diskutimin me prezantimin e gjendjeve dhe statistikave nga disa fusha siç janë të drejtat e grave, llojet e dhunës së kryer, edukimi dhe arsimi, përfshirja e grave, shkelja e të drejtave të grave punëtore dhe dhuna me bazë gjinore.

"Paneli i Qendrës për Kulturë së bashku me përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore synon të rrisë ndërgjegjësimin e grave dhe të gjithë shoqërisë. Në Qendrën e Kulturës mendoj se rreth 40 për qind e të punësuarve janë gra, por nuk do të thotë se mjafton, po punohet që të kemi sa më shumë gra, sidomos në pozita drejtuese", tha drejtori Vullnet Fejzullai.

"Duhet të respektohet barazia gjinore, gratë duhet të jenë më të përfaqësuara në të gjitha proceset e jetës shoqërore. Në Fondin e Sigurimit Shëndetësore, prej nga vij unë, shumica prej nesh janë gra dhe po luftojmë për barazinë tonë", tha Iliana Atanasovska Isajlovska.

Xhane Kreshova nga një organizatë joqeveritare që punon në fushën e parandalimit të dhunës ndaj grave thotë se ekzistojnë katër lloje të dhunës – mendore, fizike, seksuale dhe ekonomike – e para është më e shpeshta. Forcimi ekonomik tek gratë do të nënkuptojë edhe uljen e dhunës ndaj tyre, përfundoi Xhane Kreshova.

Të dhënat statistikore u shfaqën në prezantim. Në vitin 2021, nga gjithsej 81 kandidatë në 80 komuna dhe për qytetin e Shkupit, kryetare të komunave janë zgjedhur vetëm dy gra. Në vitin 2021, 40,2 për qind e deputetëve të zgjedhur ishin gra, ndërsa në vitin 2022 përqindja e grave në Kuvend arriti në 42 për qind. Regjistrimi i vitit 2021 tregon se për herë të parë pjesëmarrja e femrave me 50.4 për qind është më e lartë se ajo e meshkujve (49.6 për qind). sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR