• e diel, 01 dhjetor 2024

Formohet trupi koordinues kombëtar për reforma në arsimin e lartë, shkencë, kërkim dhe zhvillim

Formohet trupi koordinues kombëtar për reforma në arsimin e lartë, shkencë, kërkim dhe zhvillim

Shkup, 6 nëntor 2024 (MIA) - Prej sot do të fillojë punën  trupi ri koordinues kombëtar i formuar  për herë të parë në mandatin e një Qeverie, i cili do të ketë për detyrë ngritjen e sistemit të shkatërruar të arsimit të lartë dhe të garantojë qëndrueshmëri të mëtejshme të cilësisë, si dhe përmirësimin e investimeve në shkencë dhe kushteve për punë kërkimore-shkencore në vend.

Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr.Vesna Janevska pas mbajtjes së seancës konstituive të trupit koordinues kombëtar për reforma në arsimin e lartë, shkencë, kërkim dhe zhvillim, si iniciativë e programit të punës së Qeverisë së re.

“Bëhet fjalë për trup gjithëpërfshirës, ku bëjnë pjesë përfaqësues të institucioneve si MASH-i  dhe Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, përfaqësues të universiteteve dhe konferencës ndëruniversitare, komunitetit të biznesit dhe shoqatave civile. Nga të gjithë pritet paanshmëri dhe përfaqësim jo i interesave personale apo të grupeve të ngushta, por përkushtim për ndryshim të përgjithshëm të situatës në të mirë të të gjithëve dhe favor të vendit”, theksoi Janevska.

Trupi koordinues kombëtar do të bëjë analizë të situatës në fushat ku do të veprojë dhe më pas do të propozojë aktivitete konkrete që nuk do të jenë përgjegjësi vetëm e një institucioni apo pale.

"Do të kontrollojmë ligjshmërinë për punën e institucioneve, plotësimin e kushteve të punës, do të rishikojmë kuotat për regjistrim në fakultete, stimulimin e avancimit të programeve të studimit dhe krijimin e programeve të studimit ndërdisiplinor. Do të mbështesim angazhimin me komunitetin e biznesit, bashkëpunimin më të madh ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në programet e arsimit, shkencës dhe kërkimit e kështu me radhë”, theksoi Janevska, duke falënderuar të gjithë ata që e pranuan iniciativën dhe të cilët janë të përfshirë në punën e këtij organi.

Siç u shpreh ministrja, kjo iniciativë ngjall shpresë të re për përforcim  serioz të arsimit dhe shkencës si shtylla  bazë në të cilat duhet dhe do të mbështetet zhvillimi i përgjithshëm i vendit.

Trupi Koordinues Kombëtar do të udhëhiqet nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës. Përbëhet nga zëvendës kryetari, si dhe rreth 30 anëtarë të tjerë dhe zëvendës të tyre, si dhe persona për mbështetje administrative dhe teknike. Trupi koordinues do të ketë obligim që çdo gjashtë muaj të dorëzojë raport për punën në Qeveri. bsh/

Foto: MIA/MASH

 

QËNDRONI TË LIDHUR