• e premte, 22 nëntor 2024

Forcat speciale elitare britanike nën hetim për krime të mundshme lufte në Siri

Forcat speciale elitare britanike nën hetim për krime të mundshme lufte në Siri

Londër, 6 mars 2024 (MIA) - Pesë pjesëtarë të njësisë speciale të Ushtrisë Britanike (SAS) janë nën hetim për krime të mundshme lufte të kryera në Siri disa vite më parë, njoftoi Bi-Bi-Si.

Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar, por Departamenti i Krimeve të Rënda të Ministrisë së Mbrojtjes po kryen hetime.

Një numër i forcave speciale të Mbretërisë së Bashkuar janë vendosur në Siri gjatë 10 viteve të fundit në operacionet kundër grupit terrorist Shteti Islamik.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë kumtoi se po i merr seriozisht akuzat për keqbërje të mundshme. Të gjitha kallëzimet penale do të dërgohen në polici për hetime të mëtutjeshme, tha zëdhënësi i Ministrisë.

Hetimi thuhet se është fokusuar në një incident që ndodhi dy vjet më parë kur u vra një nga xhihadistët. Duke cituar burime të SAS, Dejlli Meil njofton së aty pranë gjoja është gjetur një jelek me bomba, por i dyshuari nuk e kishte veshur atë kur u vra.

Gazeta thekson se ushtarët u akuzuan nga eprorët për përdorimin e forcës së tepruar dhe duhej ta arrestonin njeriun në vend të kësaj, ndërsa ushtarët pretenduan se ai përbënte një kërcënim dhe synonte të kryente një sulm vetëvrasës.

Megjithatë, ministria pretendon se ky nuk është një rast i izoluar dhe se ka dëshmi më “tmerruese” të krimeve të luftës.

Njësitë e SAS kanë vite që veprojnë në Siri dhe deri pak vite më parë në Afganistan.

Gjithashtu, në vijim është një hetim për atë nëse forcat speciale të Mbretërisë së Bashkuar vranë civilë dhe njerëz të paarmatosur në bastisjet e natës në Afganistan midis vitit 2010 dhe 2013. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR