• e diel, 11 janar 2026

Konflikti në Gazë rezultoi me "konfrontim fizik" ndër-suedez në Parlamentin Evropian

Konflikti në Gazë rezultoi me

Bruksel, 22 maj 2025 (MIA) - Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit është përhapur edhe në korridoret e Parlamentit Evropian, ku ka arritur deri në një "konfrontim fizik" mes një eurodeputeteje dhe një nëpunëse të administratës parlamentare, të dyja nga Suedia, në lidhje me zhvillimet në Rripin e Gazës, raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli. 

Sipas burimeve të PE-së, incidenti ka ndodhur kur punonjësja thuhet se i kishte hedhur vërejtje eurodeputetes lidhur me qëndrimet e saj për Lindjen e Mesme, e cila i ishte kundërpërgjigjur me komentet e saj. Situata u përshkallëzua, kur punonjësja u përpoq të regjistronte bisedën me telefonin e saj, çka çoi në kontakt fizik mes tyre. 

Siç raporton agjencia suedeze TT, e cila si MIA është pjesë e Redaksive Evropiane të Lajmeve (ENR), bëhet fjalë për eurodeputeten Alis Teodoresku Move dhe një një nëpunëse me prejardhje nga Lindja e Mesme e punësuar në zyrën e Partisë së Majtë (V).

Teodoresku Move, e cila është anëtare e Partisë Konservatore Suedeze, Demokratët Kristian (KD), ka tërhequr kohët e fundit vëmendjen e publikut me qëndrimin e saj të fortë pro-Izraelit, duke deklaruar se për marrjen e shtetësisë suedeze duhet të jetë kusht njohja e shtetit të Izraelit.

Kabineti i saj njoftoi se ajo ishte "viktimë e sulmit" dhe se të gjitha pretendimet ndryshe janë "të pabaza".

Sipas sekretarës së përgjithshme të KD-s-ë, Liza Maria Norlin, Teodoresku Move ishte sulmuar gjtatë rrugës për në një takim, pa provokuar dhe është përballur me "akuza kërcënuese". 

Situata ishte jashtëzakonisht e pakëndashme për Alisen", theksoi Norlin në X, duke shtuar se pas incidenit Teodoresku Move kërkoi "mbrojtje nga Parlamenti Evropian.".

Për incidentin ka reaguar edhe Partia e Majtë suedeze, duke e akuzuar eurodeputeten për "sulm". 

"Kolegia ime hyri në zyrën time në gjendje shoku dhe më tregoi shenja në dorë. Doli se eurodeputetja suedeze e kishte sulmuar fizikisht kolegen time", deklaroi sekretarja e Partisë së Majtë, Mari Antman, për agjencinë TT. 

Sipas burimeve të njejta, të dyja partitë suedeze kanë paraqitur ankesa të ndara në polici për rastin. 

Lidhur me ngjarje, zëdhënësi i Parlamentit Evropian njoftoi se po shqyrtohet si "çështje prioritare", duke theksuar se institucioni ka një "politikë të tolerancës zero ndaj dhunës në ambientet e tij".

Rasti u regjistrua nga kamerat e sigurisë dhe sipas burimeve nga PE-ja, vlerësimi fillestar i pamjeve "konfirmon versionin e eurodeputetes për ngjarjen". qa/mb/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR