• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit sollën vuajtje të mëdha të popullit izraelit dhe palestinezëve të pafajshëm

Fon der Lajen: Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit  sollën vuajtje të mëdha të popullit izraelit dhe palestinezëve të pafajshëm

Bruksel, 7 tetor 2024 (MIA) - Nuk mund të ketë justifikime për aktet terroriste dhe sulmet barbare të Hamasit ndaj izraelit, të cilat edhe njëherë më ashpër i dënoj, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, me rastin e përvjetorit të sulmeve të vitit të kaluar të grupit palestinez ndaj territorit izraelit ku u vranë 797 civilë, ndër të cilët edhe 36 fëmijë dhe 379 pjesëtarë të forcave të sigurisë, rreth 3400 persona u plagosën, ndërsa 251 izraelitë u morën si pengje.

"Më 7 tetor të vitit 2023, bota u zgjua me imazhe të tmerrshme të egërsisë së papërshkrueshme, skena të cilat përgjithmonë do të mbesin në mendjet tona. Ata sollën vuajtje të mëdha jo vetëm ndaj popullit të Izraelit, por edhe ndaj palestinezëve të pafajshëm. Në këtë përvjetor tragjik dua t'i nderoj viktimat. Bashkimi Evropian ndjen keqardhje për të gjithë njerëzit e pafajshëm jetët e të cilëve janë shkatërruar nga ajo ditë e kobshme", citoi Fon der Lajen në deklaratë.

Ajo përkujton se BE-ja vazhdimisht bën thirrje për armëpushim në Gaza, lirimin e pa kusht të të gjitha pengjeve dhe për ndërprerje të konfliktit, si dhe i mbështet përpjekjet diplomatike për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Sipas Fon der Lajen, një vit më vonë, situata humanitare në Gaza është e tmerrshme, prandaj BE-ja do të vazhdojë të bëjë gjtihçka që është në fuqinë e saj për të siguruar mbështetje financiare dhe ta lehtësojë dërgesën dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare, si për popullin palestinez, ashtu tani edhe në Liban.

Fon der Lajen gjithashtu thekson edhe se derisa punon për të përballuar krizën aktuale, Bashkimi Evropian po përpiqet të ndihmojë në përgatitjen e terrenit për hapat e ardhshëm në procesin e paqes.

"Do t'i mbështesim të gjitha përpjekjet për arritje të kushteve për paqe të përhershme, që do të sjellë zgjidhje për krijimin e dy shteteve - Palestinës dhe Izraelit, të cilat do të bashkekzistojnë pranë njëra tjetrës në paqe dhe siguri. Është e vetmja mënyrë e mundshme përpara për t'i dhënë fund përfundimisht vuajtjeve", thekson Fon der Lajen.  sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR