• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Kompleksi ushtarako-industrial i Ukrainës duhet të jetë pjesë e industrisë së BE-së

Fon der Lajen: Kompleksi ushtarako-industrial i Ukrainës duhet të jetë pjesë e industrisë së BE-së

Strasburg, 6 shkurt 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet ta shoh Ukrainën si pjesë e sistemit të vet të sigurisë dhe mbrojtjes dhe mbi këtë bazë të ndërmarrë hapa praktike për të integruar industrinë e mbrojtjes ukrainase me atë evropiane, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. 

"Nuk duhet vetëm ta përshpejtojmë dërgimin e municioneve në Ukrainë. Derisa shohim drejtë të ardhmes, duhet të mendojmë për aftësitë mbrojtëse të Ukrainës si pjesë e aftësive tona mbrojtëse. Duhet të mendojmë për industrinë e mbrojtjes ukrainase si pjesë të industrisë sonë të mbrojtjes", theksoi Fon der Lajen në seancën e Parlamentit Evropian në Strasburg.

Prandaj, sipas saj, BE-ja përfshiu Ukrainën në përgatitjen e strategjisë evropiane në fushën e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes. Siç theksoi, ky është hapi i parë që duhet të çojë në integrimin e Ukrainës në disa nga programet evropiane të mbrojtjes me miratimin e nevojshëm të vendimeve të tilla në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së.

"Kjo jo vetëm që do të na ndihmojë të përmbushim nevojat e mbrojtjes së Ukrainës, por gjithashtu do të sigurojë ndërveprim dhe planifikim të përbashkët ndërmjet industrive tona ushtarake dhe atyre të mbrojtjes. Ukraina është anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian. Prandaj duhet të bëhet shumë më afër nesh në fushën e mbrojtjes”, tha Fon der Lajen.

Kryetarja e Komisionit Evropian përsëriti se në këtë moment vendet e BE-së kanë siguruar trajnime për më shumë se 40,000 ushtarë ukrainas.

"Bashkimi Evropian dhe vendet e saja anëtare kanë mobilizuar 28 miliardë euro për blerjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën", tha ajo, duke vënë në dukje se industria evropiane e mbrojtjes ka rritur kapacitetin e prodhimit të municioneve me 40 për qind.

"BE-ja do të dërgojë më shumë se 500,000 predha artilerie në Ukrainë muajin e ardhshëm dhe më shumë se një milion predha deri në fund të vitit”, tha Fon der Lajen. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR