• e hënë, 23 dhjetor 2024

Finance Think: Ribalanci me projektim realist makroekonomik, shqetëson rritja e deficitit buxhetor

Finance Think: Ribalanci me projektim realist makroekonomik, shqetëson rritja e deficitit buxhetor

Shkup, 26 korrik 2024 (MIA) - "Finance Think" vlerëson se me ribalancin e Buxhetit ka projektim realist makroekonomik dhe se projektimi i të ardhurave të buxhetit korrespondon me lëvizjet ekonomike, por shpreh rritje të deficitit buxhetor për të cilin, thotë se nuk është befasi duke pasur parasysh premtimet politike në periudhën e zgjedhjeve.

Nga "Finance Think" vlerësojnë se zgjerimi i deficitit buxhetor është tërheqje e plotë nga rruga e konsolodimit fiskal, e cila edhe pse ishte e pakënaqshme, ka filluar pas vitit të pandemisë 2020. 

"Megjithatë, zgjerimi i deficitit buxhetor nuk është dhe nuk duhet të trajtohet si befasi. Premtimet politike në periudhën para zgjedhjeve të mbajtura në fillim të këtij viti treguan se realizimi i tyre kërkonte një zgjerim të ndjeshëm të hapësirës fiskale, e cila tashmë është reflektuar në  rritje prej 44 për qind të deficitit buxhetor", bëjnë të ditur nga "Finance Think".

Sipas tyre, në masë të madhe, zgjerimi është rezultat i premtimit për rritje lineare të pensioneve prej 2.500 denarë në shtator, gjegjësisht gjithsej 5.000 denarë deri në mars të vitit 2025.

"Me harmonizimin linear të shtatorit, shpenzimi për pensione është gati dyfish më i madh nga harmonizimi i rregullt i pensioneve me shpenzimet e jetës dhe pagës mesatare, dhe kjo e thellon deficitin e ri të projektuar", vlerëson "Finance Think".

Zgjerimi i deficitit fiskal, sipas "Finance Think", është edhe rezultat i dy tendencave të tjera. E para ka të
bëjë me shpenzimin e buxhetit në qershor të këtij viti në masën 71 për qind, që është dukshëm në disproporcion me periudhën që i referohet, si dhe lidhjen me krizën e shumëanshme ekonomike të viteve të mëparshme.

"Me këtë rregullim të buxhetit bazë dhe me ribalancimin e planifikuar, komponenta zhvillimore e buxhetit jo vetëm që nuk forcohet, por dobësohet edhe më shumë. Në këtë drejtim, sipas 'Finance Think', nevojitet një ndryshim strukturor në buxhetin dhe politikat e qeverisë në periudhën e ardhshme afatmesme", thonë nga "Finance Think".

Për sa i përket kredisë dypalëshe nga qeveria hungareze në shumën 500 milionë euro me afat shlyerjeje 15 vjet përfshirë grejs periudhë trevjeçare dhe interes 3,25 për qind, "Finance Think” vlerëson se huamarrja nga një partner dypalësh, duke injoruar komponentën e mundshme politike, në kushte më të favorshme se ato aktuale të tregut, duket si hap konstruktiv, edhe pse norma e interesit e çdo huamarrjeje është aktualisht më e lartë se realizimi i rritjes ekonomike në vend.

Çështja kyçe, sipas  "Finance Think", është shfrytëzimi i këtyre mjeteve në qëllime zhvillimore edhe atë për projekte investuese të kompanive dhe për projekte të reja kapitale të komunave, në vend se për mbulimin e shpenzimeve tashmë të bëra nga menaxhim joracional me financat lokale publike. 

Megjithëse likuiditeti i sistemit bankar vendas është adekuat me kushtet makroekonomike, megjithatë, siç vlerëson "Finance Think", zgjerimi i deficitit fiskal i financuar pjesërisht nga likuiditeti i brendshëm fsheh një rrezik shtesë që zgjerimi fiskal të mos ndikojë në normat e interesit në ekonomi të mos mund të bien në një periudhë të arsyeshme, e cila ka nisur tashmë në disa ekonomi në Evropë dhe në botë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR